Burimi: Rama u përul para Erdoganit, tani goditja po i vjen nga SHBA

Gazetari Genc Burimi, duke folur nga Franca për “Task Force” me Sonila Meçon në SYRI TV, theksoi se Edi Rama po përballet me një përplasje të re ndërkombëtare, fillimisht me Ankaranë dhe tashmë me Uashingtonin.

Burimi tha se, Rama u detyrua të udhëtojë drejt Turqisë për të rikthyer vëmendjen e munguar të Erdoganit, ndërsa në të njëjtën kohë nga SHBA ka nisur një lëvizje që kërkon hetim ndaj qeverisë shqiptare për çështje të rënda, përfshirë akuzat për lidhje me trafikun e drogës.

Ai tha se, nga njëra anë kryeministri kërkoi të shmangte një përplasje me Ankaranë, ndërsa nga ana tjetër po përballet me një presion të ri nga aleati strategjik amerikan, që  mund të ketë pasoja të forta politike për pushtetin e Ramës.

Pjesë nga deklarata:

Në Turqi u takua vetëm me ministrin e Tregtisë së Jashtme të Turqisë. Rëndësia e kësaj është se ka një ftohje në marrëdhëniet mes tyre. Rama, deri para pak ditësh, nuk ishte i sigurt që do të shkonte në Turqi. Erdogani nuk ia ka harruar disa qëndrime që Rama ka mbajtur më herët. Ndoshta edhe Erdogani mendon se e humbi trenin për Shqipërinë.

Në Shqipëri, Erdogani ishte i interesuar kryesisht për çështje kulturore, fetare dhe për ndërtimin e xhamive, jo për të tjera gjëra. Me këtë, Rama shpjegonte orientimin e tij pro-izraelit dhe afrimin që bëri pas çështjes Beleri. Kjo, ndoshta, iu bë e qartë Erdoganit. Për t’u hakmarrë, ftesën për samitin e NATO-s nuk ia dërgoi Ramës, por Begajt. Begaj e refuzoi, në mënyrë që të shkonte Rama.

Në fund, Erdogani e “torturoi”, në thonjëza. Për Ramën ishte jetike të shkonte në atë vizitë në Turqi. Ishte pothuajse një çështje mbijetese politike, kur ai i jep kaq rëndësi takimeve me liderët botërorë. Pas takimeve me presidentin francez Makron, Rama paraqitej si një lider me peshë ndërkombëtare. Ai do të bënte gjithçka për të qenë pjesë e atij samiti në Ankara.

Kam dëgjuar nga një korrespondent shqiptar në Ankara se presidenti Begaj nuk ishte pritur mirë nga Erdogani, sepse shihej si një vegël e Ramës. Në momentin që Rama shkon sot në Ankara, mbyllet një kolegj mjekësor turk i lidhur me lëvizjen Gyleniste. Pa përmendur emrin, kjo ndodh pikërisht kur Rama hipën në avion.

Çfarë interesi ka Erdogani në Shqipëri? Ai ka interes për fushatën e tij të ndikimit turk. Shqipëria po blen pajisje ushtarake turke. Rama lë peng buxhetin për këto blerje dhe kjo u konfirmua edhe nga takimi që pati pak më parë me ministrin e Tregtisë së Turqisë. Pra, Rama bëri gjithçka për të qenë i pranishëm në këtë samit.

Sa i përket anulimit, nuk do t’i jepja më shumë rëndësi sesa duhet. Më shumë rëndësi i jap iniciativës së një kongresmeni amerikan, i cili po hap një front të dytë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky kongresmen ishte pothuajse i panjohur në Evropë. Bëhet fjalë për një konservator amerikan, republikan, me prirje reaganiste, i cili tani po i kthehet kundër Ramës.

Kjo është një zhvillim i rëndësishëm. Ky kongresmen i drejtohet DASH-it dhe kërkon që të hetohet qeveria shqiptare, duke e paraqitur Shqipërinë si një vend të korruptuar që zhvillon zgjedhje problematike. Kjo është shumë e rëndë për Shqipërinë.

Shqipëria e Ramës ka pasur marrëdhënie të mira si me Bidenin, ashtu edhe me Trumpin. Megjithatë, del kjo kërkesë e kongresmenit që Shqipëria të hetohet për trafik droge. Kjo është akuza më e rëndë.

Sonila, unë po flas nga tre mijë kilometra larg dhe po flas për njerëzit që nuk i shohin detajet. Ajo që sheh diplomacia e huaj është se vetëm Maduro dhe Rama po përballen me një trajtim të tillë. Ky është thelbi. Para tre ose katër javësh, kur filluan protestat, shkrova se shpata do të vinte nga Amerika. Nga Amerika erdhën kushtet, nga Amerika erdhi mbështetja për reformën në drejtësi dhe, sipas meje, nga Amerika do të vijë edhe rënia e tij.

Nuk tolerohet që një lider të bëhet objekt talljeje dhe meme-sh. Për fat të amerikanëve, nga Sali Berisha te Lapaj, Tomorri dhe Shehaj, të gjithë aktorët kryesorë të opozitës janë pro-amerikanë. Kështu që Shqipëria nuk përbën asnjë problem për interesat e Amerikës.