Lepenica: Komunizmi vrau elitën shqiptare, sot pasojat e tij vazhdojnë të rëndojnë vendin
Drejtuesi i Departamentit të Ish-të Përndjekurve Politikë në Partinë Demokratike, Shkëlqim Lepenica, ka bërë thirrje që krimet e regjimit komunist të mos harrohen, duke theksuar se kujtesa dhe drejtësia janë kusht për të mos lejuar përsëritjen e tyre.
Deklaratat u bënë gjatë një takimi me ish-të përndjekurit politikë, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Në fjalën e tij, Lepenica nderoi kujtimin e inxhinierëve dhe specialistëve të naftës të dënuar nga regjimi komunist, ndërsa akuzoi se Shqipëria vijon të vuajë pasojat e komunizmit për shkak të mungesës së drejtësisë, mosndëshkimit të krimeve dhe dobësimit të meritokracisë.
Lepenica: Familjarë të martirëve dhe të përndjekurve politikë, i nderuar Kryetar i Partisë Demokratike, Profesor Doktor Sali Berisha, të nderuar miq, demokratë, qytetarë, përfaqësues të shtresës më fisnike të kombit shqiptar. Sa herë ka data të tilla, unë nuk preferoj të quaj thjesht përkujtimore për ngjarje të rënda të së shkuarës. Ne mblidhemi për t'i dhënë një zë të vërtetë atyre që u përpoqën me plumba të varrosin inteligjencën shqiptare, me burgje, me plumba, me internime, me heshtje dhe me frikë. Le të mblidhemi që krimi të mos bëhet harrim dhe që emrat e Koço Plakut, Minella Gjokopullit, Nuredin Skraparit, Filip Nashit, Beqir Alisë, Protoko Muratit, Dhimitër Stefës dhe Jani Konomit dhe të gjithë atyre inxhinierëve, shkencëtarëve, teknikëve, specialistëve të naftës, të mos mbeten thjesht rreshta në një dosje gjyqi komunist, por të jetojnë ndër gjeneratat e këtij kombi si dëshmi e një krimi shtetëror. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje të kthehemi, t'i forcojmë kombit tonë ndërgjegjen. Këta ishin njerëz të dijes, të punës, të aftësisë, të shërbimit ndaj vendit, ishin pjesë e asaj inteligjence teknike shqiptare që mund të kishte ndërtuar Shqipërinë ndryshe. Dhe pikërisht për këtë arsye ata u goditën. Komunizmi nuk është frikë, nuk kishte frikë vetëm nga kundërshtarët politikë. Komunizmi kishte frikë nga njeriu i lirë, kishte frikë nga mendja e pavarur. Kishte frikë nga profesionisti, kishte frikë nga ai që dinte, nga ai që mendonte, nga ai që nuk nënshtrohej verbërisht partisë. Në këtë kuptim tragjedia e të ashtuquajturit grup i sabotatorëve të naftës nuk ishte vetëm një proces gjyqësor i montuar, ishte një akt lufte kundër dijes, ishte një goditje ndaj elitës së vendit, ishte një përpjekje për ta kthyer Shqipërinë në një vend ku askush nuk duhej të mendonte, askush nuk duhej të dallonte, askush nuk duhej të kishte dinjitet, jashtë lejës së partisë. Kjo histori nuk fillon aty. Ajo fillon që me persekutimin e dijetarit dhe gjeologut të shquar polak Stanislav Zuber, që në vitin 1947, një njeri që i dha Shqipërisë dije, shkencë dhe kontribut, por që regjimi komunist e shpërbleu me burg, me torturë dhe me vdekje. Ky ishte komunizmi shqiptar, një regjim gjakatar që pushkatoi klerikët, intelektualët, patriotët, themeluesit e shtetit, pronarët, nacionalistët, demokratët, njerëzit e shkolluar, njerëzit e ndershëm. Një regjim që vrau elitat dhe ngriti mediokritetin, një regjim që shkatërroi pronën dhe shpalli vjedhjen si politikë shtetërore, një regjim që e ktheu njeriun në numër, familjen në objekt survejimi, fjalën në krim dhe mendimin në rrezik, një regjim që u përpoq të depërtonte në shpirtin njerëzor e të modifikonte atë duke krijuar kështu njeriun e ri pa lidhje, pa familje, pa identitet, por vetëm në shërbim të regjimit. Prandaj sot kur flasim për përkujtim, nuk duhet ta shohim vetëm si një detyrim formal që kemi ndaj historisë. Ne duhet të flasim për drejtësi, për kujtesë kombëtare, për ndërgjegjen e një vendi që nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi harresën e krimeve të së shkuarës. Krimi që nuk dënohet, përsëritet. Krimi që relativizohet, legjitimohet, krimi që harrohet, kthehet në sistem. Fatkeqësisht, Shqipëria ende nuk është e çliruar plotësisht nga pasojat e komunizmit. Nuk është e çliruar sepse shumë prej viktimave nuk kanë marrë ende drejtësinë që meritojnë. Shumë familje të përndjekura politike ende mbajnë plagë të hapura jo vetëm në kujtesë, por edhe në jetë. Në pronë, në dinjitet, në status, në mundësitë që u jepen. Madje ky regjim që kemi sot, ka rikthyer edhe një herë aspektet më të errëta të atij regjimi, atë të patronazhimit, represionit shtetëror, përbuzjes ndaj qytetarit, arrogancës ndaj të dobëtit, kapjes së shtetit nga pakica dhe ideja se pushteti nuk është shërbim, por është sundim. Sot Shqipëria nuk ka më burgjet e Spaçit dhe Qafë Barit në formën e tyre të vjetër, por Shqipëria ende vuan nga pasardhësit e atij regjimi. Vuan nga mosndëshkimi, nga padrejtësia, nga largimi masiv i të rinjve, nga shkatërrimi i meritokracisë, nga përbuzja ndaj pronës private, vuan nga shteti që nuk mbron qytetarin por e shtyp atë. Prandaj kujtesa nuk është luks, kujtesa është mbrojtje dhe është themeli i lirisë. Kujtesa është kushti që një komb të mos bjerë dy herë në të njëjtën humnerë. Sot, si këtë parlament, si parti e njerëzve të lirë, patriotë, antikomunistë, ne kemi detyrë të madhe morale, politike dhe kombëtare, të mos lejojmë që sakrifica e këtyre njerëzve të trajtohet si histori e largët.