A’SPAK SPAK?!/ Drejtësia e mefshtë si metodë

Nga Luçiano Boçi 

A’SPAK SPAK?!

(Drejtësia e mefshtë si metodë)

SPAK ka zgjedhur një mënyrë “inteligjente” për të mos bërë drejtësi, megjithëse e shet sikur po bën drejtësi.

Kjo nuk është heshtja e plotë. Heshtja e plotë në fakt do të ishte shumë e dukshme, brutale dhe shumë e lehtë për t’u denoncuar nga kushdo.

Mënyra më e sofistikuar është pikërisht kjo që ka zgjedhur SPAK-u “i popullit”. 

Ai lëviz pak.

Herë pas here bën ca njoftime. Prodhon ca tituj bombastikë. Hap dosje pa fund. Merr në pyetje ata që i del emri diku kot, por pa cënuar kryesorët.

Nxjerr ndonjë akt procedural të zhurmshëm, ku spikat “shpallja në kërkim”.

Pra SPAK mban gjallë iluzionin e veprimit, ndërkohë që shmang thelbin e përgjegjësisë.

Kjo është ajo që po ndodh me Ramën e ministrat e tij të akuzuar, me Aruban, Zvërnecin, SKY, me krimin elektoral, me fondet e BE e me të gjitha aferat e tjera korruptive tani dhe më përpara.

Kjo është pikerisht ajo mefshtësia më e rrezikshme. Pra jo paaftësia, por mefshtësia e zgjedhur dhe e realizuar me qëllim.

SPAK-u realisht nuk u krijua për të qenë noter i skandaleve pasi ato jamë konsumuar publikisht. Nuk u krijua as për të ardhur si veprim e drejtësi  pas gjetjeve të gazetarisë investigative, pas denoncimeve të opozitës, pas kërkësave të qytetarëve, pas revoltës së protestave, apo pas çdo fakti që ka dalë në dritë dhe të thotë me vonesë se “po, edhe ne po shohim diçka”.

Jo!

SPAK-u u krijua për të qenë instrumenti më i fortë i shtetit kundër korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar.

U krijua për të shkuar atje ku politika nuk dëshiron.

Atje ku pushteti fshihet, ku paratë publike kthehen në pasuri private, ku tenderi, koncesioni, leja, resorti, inceneratori, porti, rruga apo prona publike nuk janë më politika zhvillimi, por janë mekanizma grabitjeje.

Por sot qytetarët shohin një pamje shumë shqetësuese, madje të kundërt nga pritshmëritë.

Shohin një SPAK që zgjohet me vonesë, ecën me hapa të ngadaltë, ndalet para portave të pushtetit dhe shpesh duket sikur pret leje nga rrethanat politike për të bërë detyrën e vet.

Dhe këtu natyrshëm lind pyetja.

A kemi të bëjmë me kujdes institucional apo me kalkulim politik?

Sepse kujdesi institucional është i duhur vetëm kur shërben për prova të forta, procedurë të pastër dhe akuzë të pakontestueshme.

Por kur ky kujdes kthehet në zvarritje, kur zvarritja kthehet në selektim dhe selektimi kthehet më pas  në mbrojtje objektive të pushtetit, atëherë nuk jemi më te maturia e SPAK-ut. Jemi te deformimi i drejtësisë.

Drejtësia nuk matet vetëm me dosjet që hap siç bërtet SPAK. Matet me dosjet që guxon të çojë deri në fund.

Nuk quhet e sukseseshme vetëm me emrat që thërret, por me emrat që nuk guxon t’i prekë si Rama me shokë.

Nuk quhet vepruese vetëm me arrestimet sporadike që bën, apo shpallje në kërkim.

Quhet vepruese me hierarkinë që ndjek, me zinxhirin e komandës që zbërthen, me përfituesin fundor politik që zbulon.

Sepse korrupsioni i madh dhe krimi i organizuar nuk është kurrë vepër e një nëpunësi të vetmuar, apo një shitësi banal droge, që rastësisht paska firmosur apo këmbyer diçka mes dy kafesh. Korrupsioni i madh dhe krimi i organizuar është sistem.

Ai ka arkitekturë, urdhër politik, mbulim administrativ, ka kompani të paracaktuara, institucione që mbyllin sytë sikurse media që pastrojnë imazhin.

Dhe ka njëherazi propagandë pa fund që shpik armiq sapo del fakti.

Prandaj, kur drejtësia godet periferinë dhe kursen qendrën, ajo nuk e lufton sistemin.

Ajo thjeshtë e krasit sistemin, që trungu i korrupsionit të vazhdojë të jetojë.

Kjo është drama e madhe e SPAK-ut sot.

Ai po rrezikon të kthehet nga institucion shprese në institucion administrimi të zemërimit publik, duke marrë pak nga presioni qytetar të cilin e fut më pas  në laboratorin procedural. E ftoh, e zbut, e shpërndan në kohë dhe në fund e kthen në një akt teknik që askujt nuk i dhemb më.

E kjo nuk është asfare drejtësi. Është dekor.

Qytetarët s’po kërkojnë hakmarrje, as gjyqe politike e as prokurorë që sillen si militantë.

Ata kërkojnë diçka shumë më të thjeshtë dhe shumë më të vështirë për një vend të kapur nga Rama dhe skota e tij e hajdutëve.

Ata kërkojnë barazi para ligjit.

Kërkojnë që ligji të mos ketë frikë nga kolltuku, që procedura të mos bëhet strehë për të fortin dhe lak për të dobëtin.

Kërkojnë që hetimi të mos ndalet aty ku fillon emri i vërtetë i përgjegjësisë e që ë dosja të mos mbyllet në momentin kur preket kupola politike.

Sepse ka një padrejtësi të dytë, më të hollë se vetë korrupsioni që është  padrejtësia e drejtësisë selektive.

Ajo e lodh shoqërinë më shumë se vjedhja. Vjedhja të merr paratë. Drejtësia selektive të merr besimin.

Në këtë kuptim, SPAK-u ndodhet përballë provës së vet më të madhe: të tregojë se nuk është institucion që lëviz vetëm kur presioni publik bëhet i padurueshëm, por institucion që vepron sepse ligji e kërkon. Të tregojë se nuk është kronometër politik, por mekanizëm kushtetues. Të tregojë se nuk punon me dy ritme.

Me ritëm të shpejtë për kundërshtarët e pushtetit dhe të ngadaltë, të avashtë, pothuajse meditativ, për njerëzit e pushtetit.

Sepse kur drejtësia ecën ngadalë vetëm në një drejtim, ajo nuk është më e ngadaltë vetëm. Është e orientuar.

Ky është momenti kur pyetja nuk mund të shmanget më.

A po përballet SPAK-u me korrupsionin e madh, apo po menaxhon imazhin e përballjes me të?

Përgjigja e deritanishme është e qartë e pa asnjë ekuivok.

SPAK i shërben pamjes politike të Ramës e qeverisë së tij dhe makiazhon me kujdes vetveten

E në këte pikë SPAK-u nuk është ASPAK SPAK!

Është thjesht cerberi i portave të korrupsionit.