FOTO/ Katër të lënduar që në ditën e parë të vrapimit me dema

Katër persona kanë mbetur të lënduar në ditën e parë të vrapimit tradicional me dema në qytetin Pamplona, në veri të Spanjës. Sipas autoriteteve lokale, të plagosurit kanë pësuar lëndime të lehta dhe kanë marrë ndihmë mjekësore.

Në njoftimin zyrtar thuhet se një i ri ka pësuar tronditje në kokë, një tjetër është dëmtuar në këmbë, ndërsa dy persona të tjerë kanë kërkuar ndihmë për lëndime të lehta.

Vrapimi me dema është aktiviteti kryesor i festivalit të San Ferminit, i cili këtë vit zhvillohet nga 6 deri më 12 korrik. Gjatë çdo dite të festivalit, gjashtë dema të luftës përshkojnë një itinerar prej 875 metrash në rrugicat e qytetit të vjetër, të shoqëruar nga qindra pjesëmarrës që vrapojnë para dhe pas tyre. Gara zgjat zakonisht nga dy deri në tre minuta dhe përfundon në arenën ‘Plaza de Toros de Pamplona’.

Tradita e vrapimit me dema daton që nga Mesjeta, kur kafshët dërgoheshin drejt thertoreve të qytetit. Sot, ‘Encierro’, siç njihet në spanjisht, është kthyer në një simbol të kulturës lokale dhe një prej atraksioneve më të njohura turistike në Spanjë.

Përpara nisjes së festivalit, aktivistë për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve organizuan një protestë kundër ndeshjeve me dema. Të veshur me të zeza, ata mbanin pankarta me mesazhin ‘Lufta me dema është mëkat’, të shkruar në disa gjuhë.