Barcelona zyrtarizon afrimin e Juan Ybarra-s, mesfushori spanjoll bashkohet me Barça Atlètic

Barcelona ka konfirmuar transferimin e mesfushorit Juan Ybarra nga Tenerife. Futbollisti spanjoll do t’i bashkohet skuadrës së dytë të klubit, Barça Atlètic, e cila po përgatitet për sezonin e ri.

Ybarra ka firmosur një kontratë që e lidh me klubin katalanas deri më 30 qershor 2028. Barcelona vijon kështu riorganizimin e ekipit të dytë, me synimin për të ndërtuar një skuadër konkurruese nën drejtimin e trajnerit Juliano Belletti.

Në komunikatën zyrtare, klubi bëri të ditur: “Barcelona dhe Tenerife kanë arritur marrëveshjen për transferimin e lojtarit Juan Ybarra. Mesfushori ka firmosur kontratë me klubin deri më 30 qershor 2028 dhe do të përforcojë mesfushën e Barça Atlètic të Juliano Bellettit”.

Ybarra bëhet afrimi i dytë i Barcelonës nga Tenerife gjatë kësaj vere, pas transferimit të Joni Hernández. Klubi katalanas po punon për të forcuar ekipin e dytë, i cili ka pësuar ndryshime të shumta pas dështimit për t’u ngjitur në kategorinë e dytë të federatës spanjolle sezonin e kaluar.

Disa futbollistë janë larguar nga Barça Atlètic, në mënyrë përfundimtare ose në formë huazimi, duke bërë që drejtuesit të ndërhyjnë në merkato për të ndërtuar një grup më të fortë për sezonin e ardhshëm.

Mesfushori spanjoll e nisi karrierën në akademinë e Rayo Vallecanos, përpara se të transferohej te Tenerife. Me ekipin e dytë të këtij klubi, ai zhvilloi një sezon të shkëlqyer, duke kontribuar me 13 gola dhe 9 asiste. Paraqitjet e tij të mira i dhanë edhe debutimin me ekipin e parë në muajin prill.

Barcelona shpreson që krijimtaria dhe aftësitë e tij në fazën sulmuese të ndihmojnë Barça Atlètic të arrijë objektivin kryesor të sezonit të ri: ngjitjen në kategorinë e parë të federatës spanjolle.