‘Kompensim deri në 600 euro’, Parlamenti Europian miraton rregulla të reja për fluturimet ajrore
Parlamenti Europian ka miratuar rregulla të reja për të drejtat e udhëtarëve në transportin ajror, duke ruajtur të drejtën për kompensim në rast të vonesave të gjata ose anulimit të fluturimeve.
Sipas rregullave të reja, pasagjerët do të vazhdojnë të kenë të drejtën e kompensimit nëse fluturimi vonohet më shumë se tre orë ose anulohet më pak se 14 ditë para nisjes së planifikuar.
Shumat e kompensimit mbeten të pandryshuara: 250 euro për fluturimet deri në 1.500 kilometra, 400 euro për fluturimet brenda Bashkimit Europian dhe ato me distancë nga 1.500 deri në 3.500 kilometra, si dhe 600 euro për fluturimet e tjera.
Një tjetër ndryshim parashikon detyrimin e kompanive ajrore për të informuar udhëtarët në mënyrë elektronike mbi të drejtat e tyre dhe mundësinë për të kërkuar kompensim, jo më vonë se 96 orë pas mbërritjes. Pas marrjes së kërkesës, kompanitë duhet ta konfirmojnë menjëherë dhe brenda 30 ditëve të kryejnë pagesën ose të japin arsyet e refuzimit.
Rregullat e reja ndalojnë gjithashtu praktikën e njohur si ‘no-show’, sipas së cilës pasagjerëve mund t'u refuzohej hipja në fluturimin e kthimit nëse nuk kishin përdorur fluturimin e nisjes.
Parlamenti Europian ka forcuar edhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara ose lëvizshmëri të reduktuar, fëmijëve, grave shtatzëna dhe të miturve që udhëtojnë pa shoqërues. Sipas rregullave të reja, familjeve, fëmijëve nën 14 vjeç, grave shtatzëna dhe personave që shoqërojnë udhëtarë me lëvizshmëri të reduktuar duhet t'u mundësohet ulja pranë njëri-tjetrit pa pagesë shtesë.
Projektligji u miratua me 646 vota pro, 12 kundër dhe 3 abstenime.