Komiteti Olimpik Ndërkombëtar heq përkohësisht pezullimin e Komitetit Olimpik Rus
Komiteti Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka vendosur të heqë përkohësisht pezullimin ndaj Komitetit Olimpik Rus, i cili ishte në fuqi që prej 12 tetorit 2023.
Vendimi u mor pas një analize të thelluar nga Komisioni i Çështjeve Ligjore të KON-it. Në një komunikatë zyrtare, institucioni ndërkombëtar shpjegoi se arsyeja kryesore lidhet me faktin se Komiteti Olimpik Rus nuk ka më në përbërjen e tij asnjë organizatë sportive rajonale në territoret që ndodhen nën juridiksionin e Komitetit Olimpik Kombëtar të Ukrainës.
“Vendimi u mor pas një shqyrtimi të plotë nga Komisioni i Çështjeve Ligjore të KON-it, duke marrë parasysh se Komiteti Olimpik Rus nuk përfshin më në anëtarësinë e tij asnjë organizatë sportive rajonale në këto territore”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar bëri të ditur se pala ruse ka konfirmuar se nuk zhvillon dhe nuk ka në plan të zhvillojë në të ardhmen asnjë aktivitet në këto zona.
Megjithatë, KON-i ka theksuar se do të vazhdojë ta monitorojë me kujdes situatën në lidhje me aktivitetet e Komitetit Olimpik Rus në këto territore dhe rezervon të drejtën për të marrë masa të tjera nëse do ta konsiderojë të nevojshme.
Pezullimi i Komitetit Olimpik Rus ishte vendosur në tetor të vitit 2023, pas vendimit të tij për të përfshirë në strukturën e vet organizata sportive nga territore të Ukrainës të pushtuara nga Rusia, gjë që KON-i e konsideroi si shkelje të Kartës Olimpike.