Spahia: Çfarë mund të blihet në shëndetësi me 4.2 mln Euro që po shpenzohen për shfaqjen e Kanye West

Deputeti i PD-së Bardh Spahia ka komentuar shpenzimet që po bën qeveria shqiptare për koncertin e Kanye West.

Spahia shkruan se, çfarë mund të blihet në shëndetësi me 4.2 milionë euroshin që po shpenzon qeveria për një eveniment privat.

Reagimi i deputetit të PD, Bardh Spahia:

Çfarë mund të blihet në Shëndetësi me 4.2 Milionë Euro me të cilat qeveria Shqiptare paguan shfaqjen e Kanye West?

​Dy Akseleratorë Linearë (LINAC) për Radioterapi: Këto pajisje të fjalës së fundit kushtojnë rreth 1.5 deri në 2 milionë euro secila.

Në Onkologjik, mungesa ose prishja e tyre do të thotë radhë vdekjeprurëse për pacientët me kancer. Këto dy pajisje do të mbulonin nevojat dhe do të eliminonin pritjen.

​Trajtim Jetëshpëtues Jashtë Shtetit për 50 - 80 Pacientë: Ndërhyrjet komplekse ose transplantet e palcës kurrizore (shpesh të pamundura në Shqipëri) kushtojnë mesatarisht 50,000 - 80,000 euro. Me këtë fond, shteti mund të mbulonte plotësisht kurimin e dhjetëra fëmijëve dhe të rriturve që sot varen nga lëmosha në emisione televizive.

​Ilaçe dhe Kimioterapi të Avancuara për 100+ Pacientë: Imunoterapia dhe trajtimet e targetuara (si p.sh. Pembrolizumab/Keytruda apo Trastuzumab për kancerin e gjirit) kushtojnë rreth 30,000 - 40,000 euro në vit për një pacient. Këto para do të siguronin cikle të plota vjetore pa ndërprerje për qindra të sëmurë, të cilët sot detyrohen t'i blejnë në tregun e zi ose të dorëzohen.

​15-20 Skanera Mamografie 3D: Me një kosto prej rreth 200,000 euro secili, çdo spital rajonal në Shqipëri mund të pajisej me mamografi të teknologjisë së lartë, duke shpëtuar mijëra gra përmes diagnostikimit të hershëm.

Etj, etj.