Vuksani: Qeveria ka dështuar me emergjencat civile, zjarret po menaxhohen vetëm pasi ndodh dëmi

Drejtuesi i Departamentit të Bujqësisë në Partinë Demokratike, Gjok Vuksani, në një intervistë për SYRI TV ka akuzuar qeverinë për dështim në menaxhimin e Emergjencave Civile dhe për mungesë të një strategjie reale për parandalimin e zjarreve.

Vuksani deklaron se institucionet shtetërore vijojnë të funksionojnë vetëm me reagim pas ngjarjes, duke ndërhyrë me zjarrfikëse dhe mjete ajrore pasi zjarret kanë shkaktuar dëme të mëdha në pyje, toka bujqësore dhe ekonomi familjare.

Ai theksoi se, Shqipërisë i mungon një sistem i mirëfilltë parandalimi, monitorimi dhe sinjalizimi të hershëm, ndërsa zonat me risk të lartë për zjarre nuk mbikëqyren në mënyrë të vazhdueshme. Ai kritikon mungesën e strukturave të organizuara në terren, të investimeve në infrastrukturën pyjore dhe të koordinimit mes bashkive, institucioneve qendrore dhe Emergjencave Civile.

Vuksani tha se, ndërsa vendet e tjera kanë investuar në teknologji dhe sisteme të avancuara për zbulimin e hershëm të zjarreve, Shqipëria vijon të përballet me të njëjtin model reagimi pas dëmit, duke e lënë vendin të ekspozuar ndaj pasojave të rënda ekonomike dhe mjedisore.

Pjesë nga deklarata:

Unë mund të them që, në krye të herës, ka dy qasje të mbrojtjes kundër zjarrit. Qasja e parë është reagimi pasi bie zjarri, siç ndodh rëndom në Shqipëri. Në këtë rast, pra, pasi ndodh ngjarja, është e rëndësishme që të merren masa me zjarrfikëse, me avionë dhe me të gjitha këto mjete për të shuar zjarrin. Ndërsa qasja më moderne dhe më bashkëkohore është parandalimi, prognoza dhe ngritja e skenarëve mbi bazën e riskut, në mënyrë që zjarret të mos ndodhin. Sepse, në vetvete, kur themi që ka ndodhur një zjarr, ai përbën një dëm të madh ekonomik. Qoftë zjarret e mëdha që kanë ndodhur në zonat bujqësore, ku edhe gjatë kësaj periudhe janë djegur me qindra rrënjë ullinj, pemë frutore, parcela të tëra me kultura bujqësore, si edhe bagëti e kështu me radhë. Pra, unë jam për skenarin e dytë, i cili kërkon një prognozë dhe sinjalizim përpara se të ndodhin zjarret. Në këtë rast futen edhe ato që i thatë ju shumë mirë.

Në këtë sens, desha të them se është e nevojshme një strukturë e tërë. Që nga vrojtuesit; ka qenë një eksperiencë e vjetër dhe funksionale, ku gjatë periudhës së verës caktoheshin disa persona, qoftë edhe me kontrata provizore tremujore, të cilët vrojtonin zonat e caktuara me risk të lartë për zjarre. Unë mbaj mend se, në rininë time, kishte vrojtues për zonën e Kune-Vainit, të Kënetës dhe të Knallës, në Shëngjin. Në këtë mënyrë, një person ishte vazhdimisht i angazhuar me një zonë të caktuar me risk të lartë për rënie zjarri.

Gjithashtu, në të gjithë territorin e Shqipërisë ka pasur një rrjet të tërë të punonjësve të pyjeve, të cilët ishin përgjegjës për zona të caktuara të Lezhës, Pukës, Mirditës dhe Tropojës. Kryesisht teknikët e pyjeve ishin përgjegjës për një zonë të caktuar dhe ndodheshin çdo ditë në pyll, në zonat me risk të lartë për zjarre.

Më pas, vetë zonat pyjore duhet të kenë rrugë pyjore dhe investime paraprake që ndajnë zonat e caktuara, në mënyrë që, edhe nëse bie zjarr në një zonë, ai të mos përhapet në zonat e tjera.

Po ashtu, duhet të ketë një përgatitje, siç e kanë në vendet evropiane, si Italia apo Franca, ku vetë njësitë administrative apo bashkitë kanë edhe një lloj, në thonjëza, "zjarrfikësi civil", të përbërë nga persona të përgatitur, të cilët, derisa të mbërrijnë mjetet nga zonat e tjera, të jenë të pajisur me mjete bazë për të shuar një zjarr të vogël. Pra, ta parandalojnë ose të kenë mundësi që, në momentet e para të shpërthimit të një zjarri, ta shuajnë ose ta izolojnë atë, në mënyrë që të mos krijohet rreziku maksimal, siç ka ndodhur kohët e fundit.

Pa hyrë në shifra të sakta, janë rreth 160 zjarre që kanë rënë që nga 22 marsi. Pra, është një numër i jashtëzakonshëm. Dhe përballë gjithë kësaj situate, emergjencat civile nuk mund të funksionojnë vetëm si një zjarrfikëse: bie zjarri, jepet sinjali, shkojmë me vrap për ta fikur dhe ndërkohë ndizet një vatër tjetër. Pra, duhet një qasje parandaluese.

Vendet e zhvilluara evropiane, madje edhe Turqia, kanë instaluar sisteme kamerash termike në të gjitha zonat pyjore ose në zonat me risk të lartë. Këto sisteme japin automatikisht alarmin sapo konstatohet një zjarr në një zonë të caktuar dhe, njëkohësisht, monitorojnë me kamera "live" përhapjen e tij, drejtimin që po merr dhe vendet ku mund të ndërhyhet sa më shpejt.

Mua më duket sikur shpeshherë bëhen mbledhje, takime dhe analiza post mortem, pra pasi ndodh ngjarja. E njëjta gjë ndodh edhe me përmbytjet. Pasi ndodh përmbytja, thuhet se vitin tjetër do të merren masa. Ndërsa unë jam për masat parandaluese.

Madje, duhet edhe hartimi i një harte të zonave me risk të lartë. Një bashki, një komunë apo një qark duhet ta dijë se cilat janë zonat që paraqesin rrezikun më të madh dhe këto zona duhet të monitorohen më intensivisht, në mënyrë që të parandalohet rreziku dhe të ndërhyhet menjëherë.

Absolutisht që nuk i kemi këto mekanizma. Absolutisht. Dhe, për më tepër, nuk kemi as bashkërendimin e të gjitha institucioneve. Me të vërtetë bëhen thirrje për të "bashkuar forcat", si në kohën e komunizmit, nga drejtoria e Emergjencave Civile, por mungon ky zinxhir i tërë institucionesh, duke filluar nga njësitë administrative, te bashkitë, te strukturat e mbrojtjes civile...