E papritur në Britani, Farage dorëhiqet si deputet
Lideri i partisë Reform UK, Nigel Farage, njoftoi të martën se do të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe do të rikandidojë në një zgjedhje të parakohshme në zonën elektorale të Clacton, me synimin për të marrë një mandat të ri nga votuesit ndërsa përballet me hetime mbi donacione me vlerë miliona paund.
Në një deklaratë të transmetuar për mediat, pa pranuar pyetje nga gazetarët, Farage mohoi çdo shkelje.
‘Nuk kam bërë asgjë të paligjshme. Nuk kam shkelur ligjin në asnjë mënyrë dhe nuk kam keqpërdorur fondet publike,’ deklaroi ai.
Farage, një nga figurat më të njohura të së djathtës britanike dhe aleat i presidentit amerikan Donald Trump, ndodhet nën presion pas dyshimeve për mosdeklarimin e dhuratave dhe donacioneve të marra.
Një nga çështjet që po hetohet lidhet me një dhuratë prej rreth 5 milionë paundësh (rreth 6.7 milionë dollarë) nga një miliarder i kriptomonedhave me bazë në Tajlandë.
Paralelisht, deputetë të opozitës kanë kërkuar një hetim tjetër për donacionet e marra nga George Cottrell, një sipërmarrës britanik në fushën e kriptomonedhave dhe lojërave të fatit, i cili më parë ka vuajtur dënim me burg në Shtetet e Bashkuara për mashtrim.
Nëse hetimet parlamentare do të vazhdonin normalisht, ato mund të çonin në pezullimin ose edhe përjashtimin e Farage nga Parlamenti. Për të shmangur këtë proces, ai ka vendosur të japë dorëheqjen dhe të kërkojë një mandat të ri përmes votës së qytetarëve.
‘Banorët e Clacton duhet të jenë gjykatësit e veprimeve të mia. Kjo do të jetë një zgjedhje mes popullit dhe establishmentit. Do të luftoj për të fituar,’ u shpreh ai.
Megjithatë, edhe nëse Farage fiton rizgjedhjen, hetimi i Komisionerit Parlamentar për Standardet pritet të rifillojë.
Kontrolli mbi financat e Farage ka nxitur spekulime për të ardhmen politike të një prej figurave më të rëndësishme të politikës britanike. Deri pak kohë më parë, ai konsiderohej nga shumë analistë si një kandidat potencial për postin e kryeministrit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Partia Reform UK, e njohur për qëndrimet e saj kundër emigracionit, ka vetëm tetë deputetë në Dhomën e Komunëve, por vazhdon të kryesojë në disa sondazhe kombëtare përpara Partisë Laburiste në pushtet dhe Partisë Konservatore.
Në zgjedhjet lokale dhe rajonale të muajit maj, Reform UK regjistroi rezultate të forta, duke ushqyer pritshmëritë për një rritje të mëtejshme të mbështetjes elektorale.
Megjithatë, zhvillimet e fundit nuk kanë qenë pozitive për partinë. Reform UK ka humbur tre zgjedhje të njëpasnjëshme të pjesshme, çka sipas analistëve mund të sinjalizojë një rënie të mbështetjes popullore.
Një humbje e Farage do të ishte një goditje e rëndë për Reform UK, pasi ai mbetet figura dominuese e partisë dhe simboli i platformës së saj nacionaliste dhe anti-emigracion. Gjatë viteve të fundit, Farage ka ndërtuar pjesën më të madhe të profilit të tij politik mbi kritikat ndaj emigracionit të paligjshëm, duke e përshkruar mbërritjen e emigrantëve me gomone përmes Kanalit Anglez si një ‘pushtim’, deklarata që kanë shkaktuar reagime të forta nga kundërshtarët e tij politikë.