Alarm te Norvegjia para ndeshjes me Anglinë: ‘Lojtarët janë të lodhur’, a është faji i një virusi?
Në prag të çerekfinales së Botërorit 2026 kundër Anglisë, që do të luhet të shtunën, në Miami, te Norvegjia po rritet shqetësimi për gjendjen fizike të skuadrës dhe rrezikun konkret që disa lojtarë të rëndësishëm të mungojnë në momentet e fundit.
Trajneri Ståle Solbakken ka ngritur alarmin, duke theksuar se udhëtimet e vazhdueshme dhe rraskapitëse me avion nga kampi bazë në Karolinën e Veriut kanë shteruar energjitë e delegacionit. Sipas tij, ndryshimet e vazhdueshme të temperaturës, të shkaktuara nga ajri i kondicionuar, kanë ndikuar negativisht te futbollistët.
Sulmuesi Jørgen Strand Larsen është dobësuar fizikisht, ndërsa mbrojtësi i ri Marcus Holmgren Pedersen është detyruar të tërhiqet për shkak të një gjendjeje jo të mirë shëndetësore. Pedersen kishte arritur në një lodhje të plotë fizike dhe emocionale pasi zëvendësoi të dëmtuarin Julian Ryerson.
Me vetëm katër ditë në dispozicion para sfidës vendimtare ndaj Anglisë, stafi mjekësor i Norvegjisë është në garë me kohën për të rikuperuar sa më shumë lojtarë. Sipas raportimeve, problemi nuk duket të jetë një virus, por një lodhje e thellë dhe e përhapur në skuadër, e cila mund të ndikojë ndjeshëm në formacionin titullar të norvegjezëve.