'Detyrim ndaj brezave', Zhupa kërkon mbrojtjen e lumit të Nikaj-Mërturit
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për turizmin, kulturën dhe diasporën, Ina Zhupa, ka shprehur mbështetjen e saj për banorët e Nikaj-Mërturit, të cilët prej ditësh po protestojnë në mbrojtje të lumit të zonës.
Në reagimin e saj, Zhupa thekson se banorët nuk janë kundër zhvillimit, por kundër mungesës së transparencës, konsultimit me komunitetin dhe vendimeve që, sipas saj, merren mbi pasuritë publike sikur të ishin pronë private.
Ajo nënvizon se lumenjtë, malet dhe pasuritë natyrore janë trashëgimi kombëtare që duhet të mbrohen për brezat e ardhshëm, ndërsa kërkon që zëri i banorëve të dëgjohet dhe çdo zhvillim të ndërtohet në bashkëpunim me komunitetin dhe në respekt të mjedisit.
Reagimi:
Banorët të Nikaj-Mërturit protestojnë prej ditësh në mbrojtje të lumit të tyre. Ata nuk protestojnë kundër zhvillimit, por kundër mungesës së transparencës, mungesës së konsultimit me komunitetin dhe vendimeve që merren mbi pasuritë publike sikur të ishin pronë private.
Lumenjtë, malet dhe pasuritë tona natyrore nuk janë për t’u sakrifikuar me vendime të njëanshme. Janë trashëgimi kombëtare dhe kemi detyrimin t’ua lëmë të paprekura brezave që do të vijnë.
Zëri i banorëve duhet dëgjuar. Zhvillimi nuk ndërtohet duke anashkaluar njerëzit që jetojnë aty, por duke i bërë ata pjesë të vendimmarrjes dhe duke respektuar mjedisin.