Atentati me bombë ndaj gazetarit në Itali/ Porositës i dyshuar, reagon ish-botuesi nën hetim Valter Lavitola
Nga Alba Kepi/
Një nga çështjet më të bujshme që po trondit opinionin publik në Itali ka marrë një zhvillim të ri. Prokuroria italiane ka vënë nën hetim sipërmarrësin, ish-gazetarin dhe ish-botuesin Valter Lavitola, i cili dyshohet se mund të ketë qenë porositësi i atentatit me bombë ndaj gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit të njohur "Report" në Rai 3.
Sipas autoriteteve, Lavitola nuk akuzohet se ka marrë pjesë drejtpërdrejt në sulm, por se mund të ketë organizuar ose urdhëruar atentatin. Megjithatë, motivi që qëndron pas këtij akti kriminal ende nuk është zbuluar dhe mbetet objekt i hetimeve.
Si pjesë e procedurave hetimore, karabinierët kanë zhvilluar kontrolle në banesën e Lavitolës, ku kanë sekuestruar telefonin celular dhe kompjuterin e tij. Ekspertët do të analizojnë të gjitha të dhënat elektronike për të zbuluar nëse ekzistojnë komunikime apo prova që mund ta lidhin atë me autorët e dyshuar të sulmit.
Atentati ndodhi më 16 tetor 2025 përpara banesës së Sigfrido Ranuccit. Një bombë artizanale shpërtheu pranë shtëpisë së gazetarit, duke shkatërruar dy automjetet e tij të parkuara jashtë dhe duke dëmtuar portën hyrëse të banesës. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk pati viktima apo të plagosur, por ngjarja shkaktoi reagime të forta në Itali dhe ngriti shqetësime serioze për sigurinë e gazetarëve investigativë.
Vetëm pak ditë më parë, autoritetet italiane arrestuan katër persona në provincat e Napolit dhe Avellinos, të cilët konsiderohen autorët e dyshuar materialë të atentatit. Ata akuzohen për posedim dhe transport të një pajisjeje shpërthyese, vendosjen dhe aktivizimin e saj në një vend publik, si edhe për kërcënim dhe dëmtim të rëndë. Prokuroria vlerëson se sulmi është kryer në grup dhe me mënyra veprimi që kujtojnë organizatat mafioze, çka e rëndon më tej pozitën e të dyshuarve.
Hetimet tani janë përqendruar në zbardhjen e zinxhirit të plotë të ngjarjes, me synimin për të kuptuar se kush e organizoi atentatin, kush e financoi dhe cili ishte motivi që çoi në sulmin ndaj një prej gazetarëve më të njohur investigativë të Italisë.
Sigfrido Ranucci prej vitesh drejton emisionin "Report", i njohur për investigimet mbi korrupsionin, krimin e organizuar, abuzimet me fondet publike dhe çështje të tjera me interes të lartë publik. Për shkak të punës së tij, ai ka qenë shpesh objekt kërcënimesh, ndërsa atentati me bombë konsiderohet një nga sulmet më të rënda ndaj një gazetari italian në vitet e fundit.
Valter Lavitola është një figurë e njohur në Itali. Ai themeloi gazetën "L'Avanti!" në vitin 1996 dhe në vitin 2004 kandidoi për Parlamentin Evropian me Forza Italia, parti e themeluar nga ish-kryeministri Silvio Berlusconi, me të cilin kishte marrëdhënie të afërta. Edhe pse siguroi rreth 54 mijë vota, ai nuk arriti të zgjidhej eurodeputet.
Emri i Lavitolës është përfshirë edhe më parë në disa procese gjyqësore me jehonë. Në vitin 2014 ai u dënua me vendim të formës së prerë për tentativë shantazhi ndaj Silvio Berlusconit. Ai u hetua gjithashtu në çështjen e njohur si "blerja e senatorëve", ku dyshohej për ndërmjetësimin e kalimit të parlamentarëve nga një kamp politik në tjetrin në këmbim të parave ose përfitimeve të tjera. Në atë rast, procedimi penal u mbyll për shkak të parashkrimit të veprës.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen. Deri në përfundimin e procesit gjyqësor, Valter Lavitola konsiderohet person nën hetim dhe gëzon prezumimin e pafajësisë, sipas parimeve të drejtësisë italiane.
Pas lajmit se sipërmarrësi Valter Lavitola është nën hetim si porositës i dyshuar i atentatit ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci, ky i fundit reagoi:
"Është një lajm që më befason. Valter është një mik dhe ka qenë burim i rëndësishëm i disa hetimeve që kemi realizuar me Report. Derisa të shoh provat e Prokurorisë, do të vazhdoj të besoj në pafajësinë e tij. Jam i bindur se ai nuk do t'i bënte kurrë keq as mua dhe as familjes sime," deklaroi Ranucci.