'Vendi nuk mund të mbahet peng nga një autokrat'/ Blushi: Shqiptarët ia kanë prerë biletën pakthim Edi Ramës

I ftuar në studion e Syri TV me gazetarin Arnold Kariqi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion, lidhje me krimin dhe keqqeverisje.

Ai deklaroi se protestat në Tiranë, në qytete të tjera të vendit dhe në diasporë tregojnë pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisë.

Blushi tha se opozita kërkon jo thjesht rotacion pushteti, por një ndryshim të thellë të mënyrës së qeverisjes, duke u shprehur se qeveria ka dëmtuar ekonominë, pronat dhe interesat kombëtare. Sipas tij, shqiptarët kanë vendosur t’i japin fund qeverisjes së Edi Ramës përmes reagimit qytetar dhe protestave.

Blushi:

Në fakt komentin e parë e ka dhënë vetë në atë bazë që ka publikuar kartelën psikiatrike të Edi Ramës. Nuk mund t'ia mohojmë autorësinë e publikimit të asaj kartele psikiatrike. Së dyti, një kryeministër i cili vetëm për detoksifikimin nga droga harxhon 10 mijë euro në spitalet më luksoze të Italisë, nuk mund të pritet asnjë surprizë se ndoshta mund të jetë nën efektin e substancave për të cilat ai refuzon të bëjë dhe testin e drogës.

Dhe së treti, është një autokrat i krimbur në korrupsion dhe që është totalisht i shkëputur nga realiteti. Këto janë tre arsyet themelore të kësaj sjelljeje të kryeministrit i cili në fakt nuk çudit askënd tashmë, dhe është kjo arsyeja pse sheshet dhe rrugët jo vetëm të Tiranës, por të gjithë Shqipërisë, përfshirë diasporën, janë në protestë dhe në dorën e sovranit.

Sigurisht që Edi Rama nuk ka ndërmend të largohet sepse largimi i tij... dihet se cili është fundi që e pret, dhe ai fund në fakt është i pashmangshëm. Sado të përpëlitet në karrigen e tij, dhe për të mos harruar të kujtojmë faktin, siç thotë populli, në qoftë se karrigia do të ishte aq e mirë, do ta mbante Edi Rama në kokë dhe jo tek të pasmet e tij. Megjithatë tashmë është e qartë që shqiptarët ia kanë prerë biletën e pakthim Edi Ramës dhe nuk ka asnjë përpëlitje të tij, nuk ka asnjë mundësi që Edi Rama të qëndrojë edhe për një kohë të gjatë në pushtet.

Një pushtet i cili duhet theksuar, nuk ka ardhur për shkak të një procesi të rregullt zgjedhor, por është aty thjesht dhe vetëm për shkak të këtyre bandave dhe karteleve ndërkombëtare të drogës që siç faktoi jo vetëm raporti i fundit i OSBE-ODIHR-it, por siç e denoncoi publikisht edhe zoti Gahler në Parlamentin Europian, janë pikërisht bandat që e sollën në pushtet Edi Ramën dhe janë bandat të cilat e kanë marrë peng Edi Ramën, jo vetëm bandat lokale por edhe mafia ndërkombëtare vasal i së cilës ai është.

Dhe besoj aktakuza më e re është "Albanian files" që nuk është në fakt një libër, por është një aktakuzë publike për mënyrën se si një autokrat... i cili, dhe për mënyrën se si qeveris dhe e trajton vendin e vet duhet të hyjë në rekordet Guinness. Bota ka parë shumë autokratë, ka parë shumë diktatorë, por të cilët kanë qenë patriotë, sepse askush prej tyre nuk e ka nxjerrë vendin në shitje, duke filluar nga Sadam Huseini dhe deri tek Enver Hoxha, që nuk ka diskutim për natyrën e tyre kriminale të qeverisjes, por nuk kanë nxjerrë në pazar territoret e vendeve përkatëse. Ndërsa aktakuza e re e fundit nuk është një libër, është një aktakuzë, tregon mënyrën se si Edi Rama ka qeverisur vendin dhe jo vetëm kaq, por edhe se si ai e trajton Shqipërinë, si një çiflig privat, si një pronë private, duke qenë i gatshëm të falë gjithçka, të falë sovranitet, të falë integritet, thjesht dhe vetëm për të qëndruar në pushtet. Këtë ka bërë edhe me çështjen e Kosovës kur nxorri në shitje kufijtë e Kosovës, këtë ka bërë edhe me çështjen e detit me Greqinë, këtë ka bërë me Zvërnecin, këtë po bën me Vlorën, me Lezhën, me Shkodrën e me gjithë Shqipërinë. Pra gjithçka... çdo tokë publike, përfshirë ato tokat private shihen si një mundësi nga Edi Rama për t'u shkëmbyer thjesht dhe vetëm për të qëndruar në pushtet. Por tashmë prej më shumë se një muaji, kjo nuk është më thjesht dhe vetëm një çështje politike, sepse nuk kërkohet thjesht dhe vetëm një rotacion normal i pushtetit, po kërkohet një ndryshim, një shkulje me rrënjë njëherë e përgjithmonë e një mënyre kriminale, antikombëtare të qeverisjes së vendit, i një stili qeverisjeje i cili e ka shpopulluar në mënyrë dramatike Shqipërinë si askush tjetër.

Janë mbi 1.5 milionë shqiptarë që janë detyruar të largohen nga vendi, dhe jo vetëm kaq, por Edi Rama pasi i dëboi tani po u rrëmben edhe shtëpitë edhe tokat. Skena të cilat dikur ne i shihnim rëndom në Tiranë me fuqinë që ai përdorte nëpërmjet narkopolicisë, sikur të mos i mjaftonte një banesë private apo një truall i caktuar, tani Edi Rama është lëshuar si i lukunishëm duke grabitur mijëra e mijëra hektarë tokë.

Dhe besoj jo vetëm "Albanian files", por edhe dosja Arben Ahmetaj janë dëshmia më e freskët e denoncimeve të drejta të opozitës dhe të faktit se çfarë kemi sot për kryeministër: një individ të sëmurë psiqik, përdorues droge, kriminel, patologjik, i cili është i gatshëm të shkatërrojë vendin, ta fusë vendin në një konflikt civil, të shesë gjithçka që mundet duke trajtuar gjithçka si pronë të tij private.

Çka sigurisht besoj do ta marrë dhe po e merr çdo ditë përgjigjen nga sheshi kryesor i Tiranës, nga sheshet dhe rrugët kryesore të Shqipërisë, por edhe nga diaspora shqiptare.