I bëri atentat oligarkut në Monaco, vritet autorja e sulmit
Trupi i Anastasia Berezovskas, shtetases ukrainase 34-vjeçare e dyshuar për atentatin në Principatën e Monakos kundër oligarkut Vadim Ermolaev, është gjetur pranë Kievit. Lajmin e ka bërë të ditur gazeta ukrainase Ukrainska Pravda, duke cituar burime të saj.
Sipas raportimeve, Berezovska është vrarë me armë zjarri dhe trupi i saj është gjetur mbrëmjen e kaluar rreth orës 23:00. Ajo ishte shpallur në kërkim nga Interpoli për lidhjen e dyshuar me sulmin në Monako. Hetuesit kanë bërë të ditur se gruaja kishte qëndruar jashtë Ukrainës nga 22 marsi 2025 deri më 1 korrik 2026.
Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar tashmë dy persona të dyshuar. Njëri prej tyre është ish-punonjës i forcave të rendit, ndërsa tjetri është një oficer aktiv i inteligjencës. Autoritetet po hetojnë rrethanat e vrasjes së Berezovskas dhe lidhjet e mundshme me atentatin.
Shpërthimi në Monako ndodhi më 29 qershor, pranë hyrjes së një ndërtese luksoze. Si pasojë e sulmit mbetën të plagosur tre persona, dy prej tyre në gjendje të rëndë. Mes të plagosurve ishte edhe Vadim Ermolaev, biznesmen me origjinë ukrainase dhe me pasaportë qipriote. Në momentin e sulmit ndodhej aty edhe djali i tij 13-vjeçar.Sipas Prokurorisë së Monakos, Berezovska dyshohet se kishte vendosur eksplozivët dhe i kishte aktivizuar në distancë. Pas shpërthimit, ajo dyshohet se është larguar në këmbë drejt Francës, ku ka marrë me qira një automjet dhe ka udhëtuar përmes Italisë drejt Gjermanisë, ku jetonte në një apartament në Frankfurt.
Autoritetet franceze kanë siguruar pamje filmike ku e dyshuara shfaqet në një pikë pritjeje, duke marrë një makinë me qira me emër të rremë. Sipas akuzës, ajo kishte vëzhguar zonën për tri ditë radhazi, më 26, 27 dhe 28 qershor, para sulmit.
Policia gjermane kishte kontrolluar banesën e saj në Frankfurt dhe automjetin me qira, duke sekuestruar prova që iu dorëzuan autoriteteve të Monakos. Hetimet sugjerojnë se gruaja nuk kishte vepruar e vetme, pasi dy persona të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë ishin ndaluar më herët, por më pas ishin liruar.
Vadim Ermolaev është drejtues i kompanisë agro-ushqimore Alef Group dhe bashkëpronar i kompanisë financiare estoneze Versobank, e cila u pezullua në vitin 2018 nga Banka Qendrore Evropiane për shkelje sistematike të rregullave kundër pastrimit të parave.
Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes i Ukrainës e ka vendosur Ermolaevin nën sanksione për 10 vjet që nga viti 2023, duke e akuzuar për bashkëpunim me Rusinë. Biznesmeni është akuzuar gjithashtu se ka vazhduar aktivitetet e tregtisë së alkoolit në Krimenë e pushtuar nga Rusia.