SYRI TV/ Integrimi - KE reagon për Syri TV: Shqipëria të përmbushë standartet
Komisioni Europian ka paralajmëruar qeverinë Shqiptare se të gjitha projektet duhet të jenë në përputhje me kapitullin 27 për mbrojtjen e mjedisit. Në një prononcim për gazetaren e Syri Televizion Alba Kepi, një zëdhënës i Komisionit Europian i kujtoi Tiranës zyrtare se ky kapitull është ende i hapur dhe theksoi se Brukseli do të verifikojë në vazhdimësi përmbushjen e standarteve përkatëse. Në kulmin e protestave antiqeveritare, Komisioni Europian thekson se tubimi paqësor dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore demokratike dhe vlera bazë të Bashkimit Evropian.
SYRI TV
Komisioni Europian ka bërë të ditur se të gjitha projektet e mëdha në Shqipëri duhet të jenë në përputhje me kapitullin 27 për mbrojtjen e mjedisit i cili akoma nuk është mbyllur. Në një përgjigje zyrtare për gazetaren e Syri Televizion Alba Kepi, një zëdhënëse e Komisionit Europian u shpreh qartë se Shqipëria duhet të përmbushë standartet e përcaktuara në këtë kapitull, i cili do të qëndrojë i hapur derisa situata të qartësohet plotësisht. Komisioni Europian paralajmëroi se do të verifikojë nëse Shqipëria ka përmbushur standartet përkatëse.
Në rastin e projektit në zonën Pishë Poro–Nartë – dhe për të gjitha projektet në vazhdim në Shqipëri – ai do të duhet të përmbushë standardet e përcaktuara në kapitullin 27 për mjedisin në kuadër të procesit të pranimit. Ky kapitull është aktualisht i hapur. Përpara se të mbyllet, situata do të duhet të sqarohet plotësisht. Roli ynë do të jetë të verifikojmë nëse janë përmbushur standardet përkatëse.
Ne i inkurajojmë autoritetet shqiptare të vazhdojnë të ndërmarrin hapa që mbështesin përmbushjen e standardeve përmbyllëse dhe të ndihmojnë Shqipërinë të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së.
Ky reagim i Brukselit zyrtar vjen në kulmin e protestave antiqeveëritare që kanë përfshirë vendin prej më shumë se 1 muaji. Në këtë linjë zëdhënësja e Komisionit Europian tha për Syri Televizion se tubimi paqësor dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore demokratike dhe vlera bazë të Bashkimit Evropian.
Ndërsa qeveria shqiptare vijon ta paraqesë procesin e negociatave me Bashkimin Evropian si historinë e suksesit të mandatit të saj, protestat masive kanë zhvendosur debatin nga retorika politike te respektimi konkret i standardeve evropiane. Zyrtarët më të lartë të Komisionit Europian dhe përfaqësues të vendeve anëtare kanë deklaruar gjatë muajve të fundit se procesi i anëtarësimit nuk është vetëm një negociatë teknike mes Tiranës dhe Brukselit, por një vlerësim i vazhdueshëm i mënyrës se si ushtrohet pushteti, si zbatohen ligjet dhe si respektohen të drejtat e qytetarëve.