Rama fyen protestuesit që i kërkuan llogari për milionat për koncertin e K.West: Sorrat dhe korbat e Bulevardit...

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish protestuesit, duke i etiketuar si “sorrat dhe korbat e bulevardit”. Prej 38 ditësh me radhë, shqiptarët i kërkojnë dorëheqjen Ramës dhe largimin e kabinetit të drejtuar duke e cilësuar të dështuar qeverisjen 13-vjeçare.

Teksa vizitoi ambientet e stadiumit të improvizuar ku do të performojë reperi Kanye West, Rama komentoi fondin e akorduar nga shteti për organizimin e koncertit. Ai tha se akuzat për shpenzimin e “dhjetëra miliona euro” për këtë event janë të pavërteta dhe hodhi akuza ndaj mediave dhe shoqërisë civile që kërkojnë transparencë dhe tha se ndërhyrja e shtetit ka qenë vetëm 4 milionë euro për garantimin e mbarëvajtjes së aktivitetit. Sipas tij, koncerti pritet të sjellë mijëra vizitorë nga dhjetëra shtete dhe një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e Tiranës, ndërsa e cilësoi organizimin e eventeve të tilla si investim për zhvillimin e vendit.

Nga ana tjetër, kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij janë angazhuar në një fushatë intensive dezinformimi duke publikuar pamje jo të vërteta nga protesta e qytetarëve sikur në shesh ka pak njerëz, ndërsa nuk sheh masivitetin çdo natë para zyrës së tij.

Çfarë tha Edi Rama:

Është një event i organizuar tërësisht nga grupi privat, partnerë shqiptarë, gjermanë, shqiptarë, turq, që kanë marrë përsipër gjithë këtë sipërmarrej gjigante.

Shteti ka ndërhyrë vetëm dje, jo për të dhënë dhjetëra miliona euro siç thonë sorrat dhe korbat e bulevardit , por 4 mln që të garantojë që ata mijëra njerëz nga 80 shtete, Europa, SHBA, Australia, dhe janë më shumë se sa ata që blejnë biletat dhe erdhën për finalen e konferencë league… Ky event nëse do të mbetej pa realizuar do të ishte një mundësi më pak për ekonominë e kryeqytetit.

Ata mijëra njerëz sjellin impakt ekonomik të menjëhershëm por sjell një impakt ekonomik edhe hap pas hapi. Finalja e Konferencë League na solli gjithë atë bum turistësh nga Holanda dhe Italia. Këto janë eventet. Bota nuk janë budallenj. Kërkojnë shpenzim në fillim, por janë investime për një Shqipëri tjetër që nuk kthehet mbrapa. Të hidhen përpjetë ata që nuk duan.