Itali, operacion kundër spiunazhit: arrestohen dy persona për lidhje me një rrjet informacionesh për një agjent rus
Nga Alba Kepi/
Një operacion i gjerë kundër spiunazhit është zhvilluar në Itali, ku autoritetet kanë arrestuar dy persona dhe kanë vënë nën hetim shtatë të tjerë, nën dyshimet për nxjerrje të informacioneve të klasifikuara dhe bashkëpunim në sigurimin e të dhënave sensitive me interes për sigurinë kombëtare.
Operacioni është kryer nga Njësia Operative Speciale e Karabinierëve (ROS), me mbështetjen e Njësisë Speciale të Ndërhyrjes (GIS) dhe Komandës Provinciale të Karabinierëve të Romës, pas masave të sigurisë të lëshuara nga Gjykata e Romës me kërkesë të Prokurorisë së kryeqytetit italian.
Dy personat e arrestuar dyshohen për vepra penale që lidhen me zbulimin e informacioneve të ndaluara për publikim, spiunazhin dhe aksesin e paligjshëm në sisteme informatike. Ndërkohë, janë kryer kontrolle në banesa, ambiente pune dhe pajisje elektronike ndaj tyre, si dhe ndaj pesë personave të tjerë nën hetim.
Hetimi ka nisur në maj të vitit 2025 dhe është zhvilluar nga Prokuroria e Romës dhe Prokuroria Ushtarake e Romës, përmes një serie veprimesh të ndërlikuara hetimore, përfshirë përgjime teknike, vëzhgime dhe ndjekje operative.
Në qendër të hetimit ndodhet një 59-vjeçar, ish-pjesëtar i strukturave kombëtare të inteligjencës italiane dhe ish-nënoficer i Karabinierëve. Ai dyshohet se ka vepruar si ndërmjetës mes burimeve italiane dhe një personi të dyshuar si agjent i shërbimeve ruse të inteligjencës, i cili në Itali gëzonte status diplomatik.
Sipas hetuesve, i dyshuari kryesor ka siguruar informacione të rezervuara përmes gjashtë burimeve, mes të cilëve edhe katër ushtarakë në detyrë, të angazhuar në poste që kërkonin nivel të lartë konfidencialiteti.
Dyshohet se informacionet e transmetuara përfshinin të dhëna që lidhen me sigurinë e shtetit italian dhe çështje me rëndësi strategjike kombëtare. Hetuesit pretendojnë se shkëmbimi i informacioneve është kryer edhe kundrejt pagesave financiare.
Sipas dosjes hetimore, janë dokumentuar disa takime dhe komunikime mes ish-zyrtarit italian dhe personit të dyshuar si agjent rus. Gjatë këtyre kontakteve, ky i fundit paraqiste kërkesat për informacion, ndërsa i dyshuari siguronte të dhënat përmes rrjetit të burimeve të tij.
Paralelisht, Prokuroria Ushtarake e Romës ka nisur procedura ndaj katër ushtarakëve të dyshuar për zbulim të sekreteve ushtarake dhe sigurim informacionesh konfidenciale me qëllim spiunazhi.
Autoritetet italiane kanë bërë të ditur se masat janë marrë në fazën e hetimeve paraprake dhe se të gjithë personat nën hetim konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.