Roberto Martinez largohet nga Portugalia pas dështimit në Botëror

Roberto Martinez ka konfirmuar largimin nga drejtimi i Portugalisë pas eliminimit zhgënjyes nga Kupa e Botës.

Trajneri spanjoll i dha fund aventurës së tij pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës në fazën e 1/8-ave, duke humbur mundësinë për të çuar “luzitanët” drejt trofeut më të madh në futboll.

Martinez deklaroi se nuk sheh më arsye për të vazhduar në detyrë, pasi objektivi kryesor i tij ishte fitimi i Botërorit. Portugalia, pavarësisht një grupi të mbushur me yje si Bruno Fernandes, Vitinha dhe Joao Neves, nuk arriti të bindë me paraqitjet e saj në turne.

“Erdha në Portugali për të fituar Kupën e Botës dhe mendoj se, pa e arritur këtë objektiv, nuk ka kuptim të vazhdoj. Kontrata ime përfundon sot dhe bordi ka mundësinë të zgjedhë trajnerin e ri”, deklaroi Martinez pas ndeshjes.

Ish-trajneri i Evertonit dhe Belgjikës u shpreh krenar për periudhën e kaluar në krye të Portugalisë, duke theksuar se është ndier i mirëpritur nga të gjithë.

“Ka qenë një kënaqësi, krenari dhe përgjegjësi. Jam ndier si një portugez më shumë”, shtoi ai.

Largimi i Martinezit ka rikthyer debatet për menaxhimin e skuadrave me shumë talente.

52-vjeçari ishte kritikuar më herët edhe për mungesën e trofeve me “gjeneratën e artë” të Belgjikës.

Sipas mediave portugeze, Federata Portugeze e Futbollit po mendon për Jorge Jesus si pasuesin e tij.

Trajneri veteran 71-vjeçar shihet si kandidati kryesor për të nisur një projekt të ri me kombëtaren dhe pritet të zhvillojë bisedime me drejtuesit e federatës pas kthimit të skuadrës në Lisbonë.