Berisha: PD vazhdon ripërtëritjen, javën tjetër mblidhet Këshilli Kombëtar për organigramën drejtuese

Lideri i Partisë Demokratike bëri publik lajmin se javën e ardhshme mblidhet Këshilli Kombëtar i PD për organigramën drejtuese

Anesti Barjamemaj, A2CNN: Zoti Berisha, të ndalemi pak te dy fundet e dy përgjigjeve tuaja. Te ripërtëritja dhe te vendimet e kryesisë. Kur do të mbarojë ripërtëritja e Partisë Demokratike, që do të mblidhet kryesia e re me sekretariatin, dhe a keni menduar ju për ekipin e ri drejtues që do të jetë në krye të Partisë Demokratike?

Sali Berisha: Në fillim të javës tjetër do bëhet mbledhja e Këshillit Kombëtar për të finalizuar të gjithë organigramën e organeve drejtuese të Partisë Demokratike. U garantoj dhe shpreh besim të madh, se Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike do t'i përmbahet me vendosmëri motos së kuvendit: ripërtëritje, ripërtëritje, ripërtëritje.

Zoti Berisha, në procesin e ripërtëritjes, çfarë kriteresh merren parasysh për promovimin e anëtarëve të rinj apo personazheve? Për shembull, rezultatet e 11 majit, janë një prej tyre?

Sali Berisha: Janë dhe ato një prej tyre. Por janë komplekse kriteret. Tani t'u them të vërtetën, në Partinë Demokratike ka personalitete të shquara. U garantoj se ka prej tyre me reputacion ndërkombëtar në fushën e vet. Ka pena nga më të fuqishmet në publicistikë sot.

A u duhet partia që të spikasin?

Sali Berisha: Jo, përkundrazi, janë të kanë spikatur ata. Ata janë të spikatur. Por duhet të marrin vendet që meritojnë në parti. Partia duhet të ripërtërihet me individë të tillë. Ka njerëz të ekselencës gjatë gjithë flurudhës të tyre akademike. Ka shumë njerëz në parti, unë ua kam thënë dhe herë të tjera, po ju e keni dëgjuar ndoshta me skepticizëm. Tani është koha të shfaqen. T'i promovojmë ata dhe të paraqiten. Ripërtëritja është ligj i pandryshueshëm. Nuk i mohohet askujt asnjë kontribut, por thirrja e përgjithshme e anëtarësisë së Partisë Demokratike dhe mbështetësve të saj është që kjo parti t'i përmbahet kësaj motoje.