Berisha: Libri i kuq, akuza më e rëndë ndaj Ramës, brigjet po shpopullohen pasi tokat po ua marrin kriminelët
Lideri i opozitës gjatë një konference shtypi tha se “Libri i kuq, akuza më e rëndë ndaj Ramës”. “Brigjet po shpopullohen pasi tokat po ua marrin kriminelët”, tha kreu demokrat.
Berisha: Libri i kuq ‘Albanian Files’, me parathënie të Edi Ramës, është libri me të cilin Edi Rama fakton shqiptarëve dhe botës se konsideron Shqipërinë një çiflig të tij, e para.
E dyta, se këtë çiflig ia ka dhënë për zhvillim karteleve të drogës, baronëve të drogës, organizatëve kriminale shqiptare dhe ndërkombëtare.
Libri i kuq ‘Dosja shqiptare’ është akuza më e rëndë ndaj një kryeministri apo presidenti republike, ndaj një diktatori të çdo lloj diktature qoftë ai, që dëshmon se ky njeri nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh ligjet kombëtare dhe as ndërkombëtare.
Se për këtë njeri, njëlloj si për sulltanët e shekujve më parë, që kishin ligj themelor të perandorisë së tyre toka, ajri dhe uji janë pronë e perandorit, ato u jepen me leasing qytetarëve për mirëqenie.
Edhe për Edi Ramën, zonat më panoramike të brigjeve të detërave dhe liqeneve të Shqipërisë, të kodrave dhe maleve të vendit, janë pronë e tij, që u jepen për zhvillim trafikantëve kriminelë të urryer.
Dëshmitë janë flagrante.
Ju i keni parë se si në jug, banorët në brigjet e vendit po shpërngulen pothuaj manum militari, po emigrojnë dhe po largohen nga kriminelë trafikantë të egër, që u shkojnë me strajca, me thasë me para, ua blejnë tokat dhe i nisin nga trojet e tyre.
Një qëndrim të tillë ndaj shqiptarëve nuk ka mbajtur asnjë pushtues në histori.
Tentakulat e mafies së rrezikshme që po rrafshon kodra dhe po zhbin çdo gjë në jug, de facto po shpopullon me forcën e narkoeurove brigjet e Shqipërisë.