Gazeta belge: Populli shqiptar kërkon dorëheqjen e Ramës, akuzohet për korrupsion dhe manipulim zgjedhor
'Revolucioni i Flamingove' në Shqipëri nisi për shkak të planeve të ndërtimit të Ivanka Trump-it, por tani ka hyrë në një fazë të re: populli kërkon dorëheqjen e kryeministrit
Nga Jesse Van Regenmortel, NIEUWSBLAD
Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner kaluan pushimet në verën e vitit 2021 në jahtin luksoz të mikut të tyre Nat Rothschild, financier dhe anëtar i familjes së njohur bankare britanike Rothschild.
Ata lundruan përgjatë bregdetit të Ballkanit, kur Ivanka u hodh në Detin Adriatik dhe notoi drejt një ishulli aty pranë. Ajo u dashurua menjëherë me vendin. Uji ishte ngjyrë blu e kaltër, pishat mbi shkëmbinj ishin madhështore dhe kormoranët fluturonin mbi det.
Ivanka Trump, vajza e madhe e presidentit amerikan, kishte zbuluar Sazanin: me 570 hektarë, ishullin më të madh të Shqipërisë, rreth 18 kilometra larg bregdetit. Ajo e përshkroi si "të paprekur", megjithëse ishulli ishte banuar që në kohën e grekëve të lashtë, kishte përjetuar pushtime të ndryshme gjatë Mesjetës, ishte pushtuar nga Italia gjatë Luftës së Parë Botërore dhe nga Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjatë Luftës së Ftohtë, udhëheqësi komunist Enver Hoxha e shndërroi në bazë detare dhe ndërtoi aty 3.600 bunkerë.
Trump dhe Kushner panë mbi të gjitha vendin ideal për një resort turistik gjigant dhe ultra-luksoz, me hotele ekskluzive, vila dhe marina për jahte. Ivanka e përshkroi projektin si "kulmin e gjithë përvojës sime në pasuri të paluajtshme, të të gjitha udhëtimeve të mia dhe të mënyrës se si dua të jetoj." Ata synojnë, me ndihmën e investitorëve nga Katari dhe të tjerëve, të investojnë 1,4 miliardë dollarë në ishull dhe edhe 4,7 miliardë dollarë në vijën bregdetare përballë tij.
Popullata e flamingove
Qeveria shqiptare dha në dhjetor 2024, menjëherë pas rizgjedhjes së Donald Trump, miratimin paraprak për projektin dhe e shpalli atë "investim strategjik", duke i hapur rrugën procedurave të përshpejtuara për miratimin përfundimtar.
Pranverën e kaluar në ishull u shfaqën gardhe me tela me gjemba dhe shenjat e para të punimeve. Pikërisht atëherë filloi reagimi i qytetarëve shqiptarë.
Që nga fundi i majit zhvillohen protesta të përditshme në Tiranë. Të shtunën e kaluar, në ditën e 35-të, protestat arritën kulmin. Dhjetëra mijëra demonstrues dolën në rrugë, shumë prej tyre duke mbajtur figura rozë flamingosh.
Fillimisht protestat u përqendruan te shqetësimet mjedisore. Zona bregdetare në fjalë është një ekosistem i brishtë, ku ndodhet një nga popullatat e fundit të mëdha të flamingove në Evropë. Pikërisht për këtë arsye lëvizja mori emrin "Revolucioni i Flamingove".
Ndërkohë, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Po zhvillohet një hetim antikorrupsion lidhur me ndryshimet ligjore që qeveria miratoi në vitin 2024, të cilat e bëjnë më të lehtë zhvillimin e projekteve turistike në zonat e mbrojtura.
Ndërtesa shumëngjyrëshe
Rama nuk është tërhequr nga qëndrimi i tij.
"Në asnjë mënyrë nuk duam të mbetemi me damkën se jemi një vend ku investitorët priten me armiqësi," tha kryeministri. "Nuk ka asnjë mundësi që ky investim të ndalet për sa kohë unë jam në detyrë."
Rama është me profesion artist dhe fitoi famë ndërkombëtare në fillim të viteve 2000, kur si kryetar bashkie transformoi Tiranën nga një qytet gri i stilit të Evropës Lindore në një qytet me pallate shumëngjyrëshe dhe parqe të gjelbra.
Që kur u bë kryeministër në vitin 2013, ai uli papunësinë dhe rriti investimet e huaja. Me nismën e tij, në vitin 2022 nisën negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, prej vitesh ndaj tij rëndojnë akuza për korrupsion, përqendrim pushteti dhe manipulim zgjedhor.
Dhjetëra mijëra protestuesit që prej më shumë se një muaji mbushin rrugët e Tiranës e akuzojnë kryeministrin se po vendos interesat e investitorëve të huaj mbi interesat e vendit, të qytetarëve dhe të natyrës shqiptare.