Lindja e Ajola Xoxës sjell kërkesë për shtyrje të gjyqit, SPAK kundërshton, çfarë u diskutua në sallë?

Ka nisur në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) gjykimi në themel ndaj Erion Veliajt, Ajola Xoxës dhe të pandehurve të tjerë. Në nisje të seancës, gjykata lejoi praninë e kamerave vetëm për momentet e para, ndërsa më pas mediat u nxorën nga salla.

Mbrojtja e Ajola Xoxës kërkoi shtyrjen e seancës gjyqësore, duke argumentuar se ajo ndodhet në periudhë leje pas lindjes dhe se ka kryer lindje me operacion cezarian, çka sipas avokatëve e bën të pamundur komunikimin e lirshëm me mbrojtjen.

Avokati Gurali Braimllari bëri me dije se Xoxa ka marrë leje nga data 29 qershor 2026 deri më 31 gusht 2026, gjithsej 63 ditë, dhe kërkoi pezullimin e shqyrtimit gjyqësor deri në përfundimin e kësaj periudhe.

“Është e pamundur që e mbrojtura prej meje të kryejë konsultat ligjore. Ajo ka kryer lindje me operacion dhe nuk mund të komunikojë lirshëm me mbrojtjen”, deklaroi Braimllari.

Sipas tij, situata e Xoxës lidhet me të drejta të parashikuara në Kushtetutë, përfshirë nenin 31, si dhe me të drejtën e një nëne që sapo ka lindur për mbrojtje të veçantë shtetërore dhe për një mbrojtje efektive ligjore.

“Ne si mbrojtje e kemi ofruar ndihmën tonë, por është një e drejtë e saj kushtetuese”, tha avokati.

Nga ana tjetër, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, kundërshtoi kërkesën për pezullim, duke deklaruar se sipas prokurorisë ekzistojnë kushtet për vijimin e procesit gjyqësor.

Dumani argumentoi se Kodi i Procedurës Penale nuk parashikon një rrethanë të tillë si shkak për pezullimin e një procesi gjyqësor dhe theksoi se gjykimi ka nisur që në shtator të vitit të kaluar.

“Kjo çështje ka nisur që në shtator të vitit të kaluar dhe e pandehura nuk është paraqitur në asnjë seancë të vetme gjyqësore. Këto janë rrethanat”, tha Dumani.

Ai shtoi se, nëse gjykata do ta konsiderojë mungesën e Ajola Xoxës si një pengesë të ligjshme, atëherë mund të vlerësohet ndarja e çështjes ndaj saj dhe vijimi i gjykimit për të pandehurit e tjerë.

Avokati Gurali Braimllari këmbënguli se ekzistojnë dispozita që lejojnë pezullimin e shqyrtimit gjyqësor dhe se në rastin konkret duhet të prevalojnë të drejtat themelore, ligjore dhe kushtetuese të të pandehurës.

Ai kundërshtoi edhe mundësinë e ndarjes së çështjes, duke argumentuar se Ajola Xoxa është pjesë e një procesi të lidhur me bashkëshortin e saj dhe të pandehurit e tjerë.

“Nuk mund të ndahet çështja. Ne kërkojmë pezullimin e procesit për të gjithë”, u shpreh Braimllari.

Edhe avokati Maksim Haxhia deklaroi se mungesa e Xoxës nuk mund të konsiderohet si një sjellje e përsëritur, por si një e drejtë e saj në rrethanat aktuale.

Në përfundim të diskutimeve, trupi gjykues u tërhoq në dhomën e këshillimit për të marrë vendimin mbi kërkesën e mbrojtjes.