Nis gjyqi në themel ndaj Erion Veliajt, Ajola Xoxa kërkon shtyrjen e seancës me argumentin e raportit të lindjes

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) po zhvillohet seanca e gjykimit në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë, mes tyre edhe Ajola Xoxa.

Veliaj nuk është i pranishëm në sallën e gjyqit këtë të martë, 16 qershor, ndërsa përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca.

Në nisje të seancës, GJKKO ka lejuar praninë e kamerave vetëm për pak minuta, ndërsa më pas mediat janë larguar nga salla e gjyqit.

Gjatë seancës, Ajola Xoxa ka kërkuar shtyrjen e procesit gjyqësor, duke u bazuar në raportin për barrë lindjeje. Sipas kërkesës, ajo ka përfituar leje nga data 29 qershor 2026 deri më 31 gusht 2026, për një periudhë prej 63 ditësh.

Avokati i saj, Gurali Braimllari, ka argumentuar se aktualisht Xoxa ndodhet në pamundësi për të zhvilluar konsultime ligjore me mbrojtjen, pasi ka kryer lindjen me operacion.

“Është e pamundur që e mbrojtura prej meje të zhvillojë konsultime ligjore. Ajo ka kryer lindjen me operacion dhe nuk mund të komunikojë lirshëm me mbrojtjen”, është shprehur Braimllari.

Ai ka renditur një sërë parashikimesh ligjore, përfshirë nenin 31 të Kushtetutës, duke theksuar se bëhet fjalë për të drejtën e një nëne që sapo ka lindur për mbrojtje dhe garantim të një procesi të rregullt ligjor.

Sipas avokatit, pamundësia për t’u konsultuar me avokatët cenon të drejtën për një mbrojtje efektive.

“Ne si mbrojtje e kemi ofruar ndihmën tonë, por kjo është një e drejtë kushtetuese e saj”, ka deklaruar Braimllari.