Intervista - Komisioni Evropian: Progresi i Shqipërisë matet me standardet, jo vetëm me negociatat

Nga Alba Kepi/

Ndërsa qeveria shqiptare vijon ta paraqesë procesin e negociatave me Bashkimin Evropian si historinë e suksesit të mandatit të saj, protesta mbi një muaj e popullit shqiptar ka zhvendosur debatin nga retorika politike te respektimi konkret i standardeve evropiane. Çfarë po ndodh prek mënyrën se si zbatohen detyrimet që burojnë nga procesi i anëtarësimit, dialogun me shoqërinë civile, shtetin e së drejtës dhe garantimin e lirive themelore. Mbi zhvillimet në Shqipëri, gazetarja Alba Kepi i kërkoi një koment zyrtar Komisionit Evropian.

Komisioni Evropian shmang çdo gjykim politik mbi çështjen konkrete, por kujton se asnjë projekt dhe asnjë vendim i autoriteteve shqiptare nuk mbetet jashtë monitorimit të procesit të anëtarësimit. Në përgjigjen e tij, Brukseli thekson se çdo projekt duhet të jetë në përputhje me kriteret e Kapitullit 27, se përmbushja e tyre do të verifikohet përpara mbylljes së kapitullit, se Komisioni është në kontakt të vazhdueshëm jo vetëm me qeverinë, por edhe me shoqërinë civile, dhe se garancitë e dhëna nga autoritetet shqiptare nuk zëvendësojnë verifikimin e institucioneve evropiane.

Po aq domethënës është edhe mesazhi për dimensionin demokratik të procesit të integrimit. Duke vlerësuar garantimin e protestës paqësore dhe duke rikujtuar se liria e tubimit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore evropiane, Komisioni Evropian lë të kuptohet se procesi i anëtarësimit nuk është vetëm një negociatë teknike mes Tiranës dhe Brukselit, por një vlerësim i vazhdueshëm i mënyrës se si ushtrohet pushteti, si zbatohen ligjet dhe si respektohen të drejtat e qytetarëve.

Për Bashkimin Evropian, progresi nuk matet vetëm me hapjen e grupkapitujve apo me ritmin e negociatave, por mbi të gjitha me mënyrën se si funksionon shteti i së drejtës, si respektohen procedurat ligjore, si përfshihet shoqëria civile në vendimmarrje dhe si garantohen të drejtat themelore të qytetarëve.

Komisioni Evropian, në një përgjigje zyrtare "on the record", që i atribuohet zëdhënësit të Komisionit Evropian, u shpreh si më poshtë:

Pyetje (Alba Kepi): A ka ky rast ndonjë ndikim në negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, veçanërisht në kapitujt që lidhen me mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm?

Përgjigje (Zëdhënës i Komisionit Evropian): Shqipëria është një nga vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit dhe ka bërë progres në mbrojtjen e mjedisit. Ky progres është i vlefshëm dhe duhet të njihet e të mbrohet. Në një situatë si kjo, është e rëndësishme që të gjithë të mbështetemi te faktet.

Sa i përket projektit në fjalë, siç ndodh me të gjitha projektet në zhvillim në Shqipëri, ai duhet të jetë në përputhje me kriteret e përcaktuara në Kapitullin 27 për mjedisin, në kuadër të procesit të anëtarësimit. Ky kapitull është aktualisht i hapur. Përpara se ai të mund të mbyllet, situata duhet të jetë plotësisht e qartësuar. Roli ynë do të jetë të verifikojmë nëse kriteret përkatëse janë përmbushur.

Pyetje (Alba Kepi): Si e monitoron Bashkimi Evropian zbatimin e projekteve të mëdha zhvillimore që prekin zona të mbrojtura natyrore në vende kandidate si Shqipëria?

Përgjigje (Zëdhënës i Komisionit Evropian): Komisioni Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe me shoqërinë civile.

Ne i inkurajojmë autoritetet shqiptare të vazhdojnë të ndërmarrin hapat që mbështesin përmbushjen e kritereve për mbylljen e Kapitullit 27 dhe e ndihmojnë Shqipërinë të ecë përpara në rrugën e saj evropiane.

Ne kemi marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se do të respektohen standardet evropiane për mbrojtjen e mjedisit.

Pyetje (Alba Kepi): A ka mekanizma o instrumente që Bashkimi Evropian mund të përdorë në rastet kur konstatohet se standardet ose detyrimet mjedisore janë shkelur?

Përgjigje (Zëdhënës i Komisionit Evropian): Sa i përket projektit në fjalë, ashtu si edhe për çdo projekt tjetër në kuadër të procesit të anëtarësimit, ai duhet të jetë në përputhje me kriteret e përcaktuara në Kapitullin 27 për mjedisin. Ky kapitull është aktualisht i hapur. Përpara se ai të mund të mbyllet, situata duhet të jetë plotësisht e qartësuar. Roli ynë do të jetë të verifikojmë nëse kriteret përkatëse janë përmbushur. Ne vlerësojmë autoritetet shqiptare dhe Policinë e Shtetit për garantimin e së drejtës për protestë paqësore në mënyrë të sigurt dhe të rregullt. Tubimi paqësor dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore demokratike dhe vlera bazë të Bashkimit Evropian.