Dhuna e policisë, rrëfimi i kampionit shqiptar që u arrestua, Bici: Erdha nga Italia për protestën

Një rikthim në atdhe për pushime është kthyer në një përvojë të papritur pas hekurave për Ervis Bicin, i njohur në ring si "Shqiponja e zezë". Kampioni i sporteve luftarake braktisi planet e tij për të pushuar, duke zgjedhur t'i bashkohet protestave në Tiranë, një vendim që përfundoi me arrestimin e tij gjatë tensioneve te Kuvendi.

Sipas dëshmisë së tij gjatë një interviste me Flavio Qarrin në “Kafe Shqeto” në syri tv, prania në shesh nuk ishte e nxitur nga bindjet politike, por nga dëshira për t'u bashkuar me qytetarët nën flamurin kombëtar. Ai qëndroi në shesh për afro 20 ditë radhazi në tubime paqësore, i mbështetur madje edhe nga familja e tij. Megjithatë, situata mori një kthesë të dhunshme gjatë protestës së zhvilluar paraditen e ftuar përmes rrjeteve sociale, ku përplasja mes forcave të rendit dhe qytetarëve degradoi në përdorimin e gazit lotsjellës dhe dhunës fizike.

Tensionet nisën kur automjeti i një zyrtari u godit me vezë, duke sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të policisë. Në mes të kaosit, sportisti thekson se ka luajtur rolin e një ndërmjetësuesi, duke i bërë thirrje të dyja palëve për qetësi me fjalët "jemi vëllezër dhe motra". Pavarësisht përpjekjeve për të shmangur përshkallëzimin, ai u përfshi në turmë, duke arritur të shmangë dy goditje me shkop gome përpara se të rrëzohej nga biçikleta. Me maskë kundërgaz dhe kapele, identiteti i tij mbeti i fshehur për efektivët, të cilët e arrestuan pa bërë rezistencë, në një ngjarje që ai e përshkruan si një "ëndërr të keqe" për shqiptarët që përplasen me njëri-tjetrin.

Flavio Qarri: Rikthehemi në transmetim të drejtpërdrejtë zonja dhe zotërinj. Kemi pasur shpesh në këtë studio, ekskluzivisht për çështje sportive dhe arritje në lëmin e rrahjes së njerëzve, por tanimë Ervis Bici, shqiponja e zezë rikthehet si një protestues i liruar nga qelia pas një fundjave të gjatë, por besoj simpatike. Pyetja ime është: pse u ktheve? Ishe pjesë e grupit që erdhi nga diaspora apo ti më duket erdhe pak më herët?

Ervis Bici: Jo, unë jetoj në Itali, sigurisht, edhe erdha këtu me familjen për pushime. Por normal, duke parë që të gjithë shqiptarët aty janë mbledhur për një protestë paqësore...

Flavio Qarri: S'më duket sikur ke bërë plazh.

Ervis Bici: Po kam bërë pak plazh. Duke parë që të gjithë shqiptarët aty janë mbledhur për një protestë paqësore, unë kurrë në jetën time nuk kam dalë në protestë partiake. Aty ku është flamuri i kuq e zi i Gjergj Kastriotit, unë jam aty. Edhe vendosa që t'i bashkohem shqiptarëve. Unë e kisha vendosur me familjen që të shkonim me pushime në një vend tjetër, jo në Shqipëri, por ka qenë kjo arsyeja e protestës që u ktheva dhe erdha këtu.

Flavio Qarri: E kuptoj. E para njëherë, si kanë qenë reagimet e familjes këto ditë që ti i ke shpenzuar në shesh? Se sa u bëre? Mbi dy javë më duket.

Ervis Bici: Po unë kam gati 20 ditë që jam këtu. Çdo natë kam qenë në protestë, gjithmonë protestë paqësore, jo me idenë për të bërë dhunë. Edhe familja ka qenë bashkë me mua aty.

Flavio Qarri: E kuptoj. Megjithatë, shkojmë te dita te protesta te Kuvendi. Pse ishe aty njëherë atë ditë?

Ervis Bici: Një ditë më parë pashë një njoftim në rrjetet sociale që në orën 10:00 do të ketë një protestë aty. Edhe vendosa që të shkoj dhe unë. Në orën 10:00 fiks isha aty.

Flavio Qarri: Si ndodhi? Çfarë ndodhi? Ma trego pak nga brenda protestës.

Ervis Bici: Atëherë, nuk e di, një xhip, një makinë e një ministri nuk e di, doli edhe e goditën me vezë. Pas pak 10 minutash pastaj policia nisi të shtyjë përpara. Aty nisën duke u shtyrë dhe protestuesit, shty-shty. Në një moment u ulëm. U ula dhe unë. Pas 10 minutash pastaj policia siç duket mori urdhër për të na ngritur, edhe aty nisën të na ngrenë. Pastaj aty filloi sprajti, filloi ajo që e keni parë dhe ju nëpër kamera.

Flavio Qarri: Si ishte ta shihje dhunën nga afër? Dhunë policore, se besoj ti nuk është se ke qenë i paeksperiencë.

Ervis Bici: Ishte hera e parë për mua. Unë domethënë, nuk e kisha... ishte si një ëndërr. Nuk e kuptoja as unë çfarë po ndodhte. Ajo domethënë që mua më vinte keq dhe më vjen keq, është që nuk më pëlqen t'i shoh shqiptarët të dhunohen, nga të dyja krahët domethënë. Edhe ajo parulla ime ka qenë gjithmonë ajo që unë kam thënë: "Të lutem, ne jemi vëllezër e jemi motra". Edhe protestuesve u kam thënë, edhe policisë së shtetit: "Kujdes, mos i gjuani, mos i prekni". Edhe këtij, nga të dyja krahët. Unë kam qenë aty në mes si me thënë, një ndarës. Nuk e kam pritur domethënë që do shkonte situata kështu. Pjesa ime që unë jam arrestuar duket edhe në video, kam dhe unë disa video, më kanë ngritur duart, të lutem i kam thënë "jemi vëllezër, jemi vëllezër", edhe jam shmangur, shkopi i gomës jam shmangur dy herë. Po edhe polici domethënë në momentin që unë kam rënë nuk më ka goditur. Besoj që po të donte të më godiste e të më dëmtonte, do më dëmtonte. Por nuk më ka goditur, nuk ka dashur të më godasë. Normale ai as nuk e ka ditur se kush jam unë, që të themi që ai s'ka dashur të godasë një kampion apo të godasë një sportist. Ai nuk e ka ditur fare se kush jam unë. Se unë kam pasur edhe kapelen, kam pasur edhe maskën për gazin. Thjesht unë pastaj në momentin që jam rrëzuar nga biçikleta, ata më kanë arrestuar, unë i kam mbajtur duart vetë, i kam thënë domethënë, nuk kam bërë rezistencë…