'Shteti më gjobiti 300 milionë lekë nga disa statuse në internet', sipërmarrësi: Tatimet shpikën 'provat', kam frikë për jetën
Një letër publike drejtuar kryeministrit ka nxjerrë në pah një skandal ku përfshihet administrata tatimore, prokuroria dhe një sipërmarrës nga Vlora. Rasti i Migen Xhelos, administrator i "Vlora Estate" dhe "Invest 1 Group", ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën sesi shteti interpreton provat dhe godet bizneset.
Sipërmarrësi tregon se i është vendosur një gjobë marramendëse prej 300 milionë lekësh bazuar vetëm në disa statuse "E shitur" në faqen e tij të internetit. Gjatë një interviste ne 'KAFE SHQETO' në SYRI TV, Xhelo shpjegoi se statusi "E shitur" në portalin e tij nuk tregon një transaksion real nga ana e tij, por është thjesht një praktikë marketingu dhe menaxhimi (sistemi CRM) për të hequr nga tregu pronat që nuk janë më të disponueshme.
Administrata tatimore e ka përdorur këtë detaj vizual si provë për ta akuzuar atë për transaksione fiktive prej 115 milionë eurosh dhe evazion fiskal në vlerën e 1 milion eurove, një vepër që dënohet nga 4 deri në 8 vjet burg.
Sipërmarrësi thekson se nuk ekziston asnjë kontratë shitblerjeje, asnjë veprim te noteri, asnjë verifikim në Kadastër apo transferta bankare që të justifikojnë këto pretendime të ngritura në ajër. Biznesmeni ka denoncuar ashpër Drejtorin e Hetimit Tatimor, Anton Martini, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe presione arbitrare.
Sipas Xhelos, Martini po vepron si prokuror, duke dhënë goditje dhe vendosur gjoba pa pasur prova reale dhe pa u bazuar në fakte ligjore. Ai thekson se gjatë hetimeve nuk i është dhënë asnjëherë mundësia për t'u shpjeguar apo për të paraqitur provat e tij. Situata ka agravuar më tej kur Xhelos i është bërë presion i drejtpërdrejtë fizik dhe psikologjik. Atij i është sekuestruar telefoni celular në mes të rrugës, në prani të dy fëmijëve të tij të mitur, 5 dhe 10 vjeç.
Veprimi është kryer nga tre makina të Policisë dhe persona të prezantuar si Oficerë të Policisë Gjyqësore (OPGJ) nga Tirana, pas një urdhri të lëshuar nga prokurori Florian Boriçi.
Ky vendim ekstrem, i nisur pas një mesazhi sqarues që biznesmeni i kishte dërguar tatimorëve, konsiderohet nga Xhelo si një kërcënim i hapur për t'i mbyllur gojën dhe për t'i marrë provat që e shfajësojnë, të cilat ai i mbante në telefon. Në përfundim të dëshmisë së tij, sipërmarrësi shprehet se ky aksion është thjesht një "show" i administratës për t'i treguar kryeministrit se gjoja po kapet evazioni fiskal i madh. Megjithëse ka ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë, ka bërë kallëzim në SPAK dhe po pret procesin gjyqësor, Xhelo tregon publikisht frikën e tij. Ai thotë se familja dhe fëmijët i janë tronditur nga ky presion i paprecedentë, ndërsa shton se ka frikë për jetën dhe sigurinë, pasi po përballet me njerëz të pushtetshëm që veprojnë si "monstra" jashtë çdo kornize ligjore.
Xhelo:
Faleminderit për mbështetjen, faleminderit që më qëndruat në krah. U treguat të gatshëm për të më qëndruar në krah, sepse realisht nuk është një hall i vogël, është një hall shumë i madh, të paktën për mua është një hall shumë i madh për përmasat e kësaj gjobe skandaloze.
As në këto raste të këtyre përmasave nuk kemi dëgjuar gjoba 300 milionë lekëshe. Megjithatë, kjo gjobë është ngritur mbi supozime duke marrë faqen time të website-it ku prej 2023-shit disa prona janë shënuar në statusin 'Shitur', që kjo realisht nuk provon asgjë, nuk provon një shitje, por provon thjesht që kjo pronë nuk është më e disponueshme. Pra nuk është më e disponueshme kur klienti shikon, shfleton domethënë faqen tonë të website-it, mos të kërkojë atë pronë që nuk është më. Pra dhe ne e shënojmë 'Shitur'.
Arsyeja tjetër është dhe marketingu kuptohet.
Ky sistem që ata pretendojnë se i kanë vënë emrin sistemi CRM dhe njerëzve kur e shikojnë ju duket sikur është ndonjë sistem që është i lidhur me tatimet apo ndonjë inventar apo ku di unë. Ky është një sistem menaxhimi për listimin e pronave, pra për faqen e website-it. Nuk ka të bëjë as me tatimet, nuk është i lidhur as me faturat tatimore, pra nuk provon absolutisht një lloj gjëje.
Në këtë mënyrë arbitrare mua më është vënë kjo gjobë. Tani ata pretendojnë që unë paskam bërë transaksione prej 115 milionë eurosh, që është çmenduri, është çmenduri nga do që ta kthesh. Në gjithë Vlorën në qoftë se e gjeni që të gjitha agjencitë bashkë kanë bërë të tilla transaksionesh unë nuk di çfarë të them.
1 milion euro dhe m'i paskan fshehur 1 milion euro, po ku i kam fshehur mor zotëri, ta di dhe unë. Ku i kam çuar? Domethënë si i vendosni këto gjoba pa gjetur fakte, një kontratë që lidh këtë veprim. Te noteri, te ASHK-ja, domethënë, ku kanë vajtur? Ku i kanë gjetur këto prova? Askund! Vetëm nëpërmjet website-it. Kjo është çmenduri. Dhe më kanë çuar dhe për evazion fiskal që normalisht mund të haj dhe nga 4 deri në 8 vjet burg.
Po fëmijët... asaj i bie 2 dënime për të njëjtën vepër.
Atëherë si fillim unë dërgova një shkresë që të më dërgonin të gjithë informacionin pra ku janë mbështetur... si kanë dalë në këtë përfundim. Duke i sqaruar gjithashtu që shikoni se unë kam fakte për këto prona që nuk janë të shitura nga unë. Këto prona janë njëkohësisht në dy website, dy agjenci të ndryshme, në statusin e shitur. Unë këto fakte i kam.
Kam gjithashtu deklarata nga zotërit e shtëpive që arrita t'i marr jo prej të gjithëve se shumica kanë frikë, kuptohet, megjithatë që ky person nuk ka lidhje me shitjen e këtyre pronave. Ne shitjen e kemi bërë vetë. Siç dhe ka prona nga ato që janë ende të pashitur, pra nuk janë shitur, pavarësisht se i kemi shënuar në të shitur. Ata nuk më kthyen as edhe një lloj përgjigje. Bëra kërkesën e dytë për shfuqizim të këtij akti duke e konsideruar akt jonormal.
Absolutisht, nuk më kanë thirrur. Ndërkohë që janë thirrur të gjithë kolegët e mi me sa kam informacion, janë thirrur, unë jam i vetmi që nuk jam thirrur. Mua më është bërë evidente në momentin e fundit thjesht kur më ka ardhur gjoba.
Akuza ime ndaj tij është që duke qenë se një jetë të tërë ka qenë prokuror dhe është mësuar domethënë me atë metodën e prokurorit që: hajde të akuzojmë sepse na thanë apo sepse pamë diçka. Mirëpo në çështje administrative nuk funksionon kështu. Kur nuk ka fakte, nuk mund të akuzosh dikë apo t'i vësh një gjobë. E akuzoj sepse ai zotëria ka dhënë urdhrin. Më pas më vjen një Lulëzim Zanafila që s'di a e... më kishte kallëzuar në prokurorinë e Tiranës që unë e paskam kërcënuar dhe e keni te faqja ime të gjithë mesazhet që ia kam dërguar zotërisë.
Në mënyrën më qytetare të mundshme duke i kërkuar thjesht sqarim: 'Të lutem më sqaroni pse e keni bërë këtë gjë sepse kjo është e padrejtë, më keni rënë në qafë'. Zotëria e ka marrë për kërcënim dhe të nesërmen më vijnë nga OPGJ-ja e Tiranës më sekuestrojnë telefonin. Më kanë ardhur tre makina policie, kam qenë me dy fëmijët e vegjël 5 vjeç dhe 10 vjeç.
Fëmijët u pataksën. Pavarësisht se oficerët e OPGJ-së nuk kam asgjë sepse u treguan zotërinj, sinqerisht po e them u treguan zotërinj. Por fakti që më vijnë kështu, fakti që këta po gjejnë këto lloj formash për të më bërë presion që të hesht, unë e quaj shumë të frikshme.
Të për të sekuestruar telefonin... i kanë të gjitha faktet, kanë të gjitha faktet që unë do shkoja në gjyq, unë i kam të gjitha materialet i kam në atë celular.
Kam aty njerëz që edhe kanë punuar në Hetimin Tatimor të cilët më kanë dhënë edhe informacione si është vendosur kjo gjobë. Të cilët unë nuk doja t'i merrja në qafë, ata po i marrin në qafë sot se më kanë marrë celularin.
Me vendim prokurorie vetëm. Me një urdhër prokurorie le të themi.
Shiko, kam një muaj që... përveçse gjumin ma kanë prishur. Mua dhe familjes time. Rri vras mendjen çdo natë, është e qëllimshme, nga ana tjetër them pse duhet të jetë e qëllimshme se unë nuk i bëj konkurencë ndokujt. Kam një biznes thjesht modest të vogël. Një agjenci imobiliare me një agjent që jam unë. Konkurencën e përjashtoj. Të jetë politike duke qenë se unë bëj ndonjë status në faqen time të Facebook-ut, jo ndonjë por bëj shpesh statuse. Kuptohet, pa i rënduar askujt në qafë, thjesht për padrejtësitë, ato që unë mendoj padrejtësi i shpreh.
Të flasim jemi të lirë, jetojmë në demokraci, e kemi këtë të drejtë. Dhe për këtë të më vendosin një gjobë kaq arbitrare thjesht të shprehem në Facebook, nuk e di. Ajo që më ngelet, që më ngelet besoj... sinqerisht po ta them është thjesht dashakeqësi. Është thjesht dashakeqësi, ata u nisën për të bërë një show për t'i treguar Edi Ramës që shikon, e kapëm një evazion fiskal shumë të madh, 5.4 milionë euro vetëm nëpërmjet agjencive imobiliare dhe në të gjithë këto agjenci në gjithë Shqipërinë, 1 milion euro ia paska bërë Migen Xhelo. Është... nuk di çfarë të them, sinqerisht.
Unë... Ajo që më shqetëson më shumë, sinqerisht e them edhe pse unë e kam marrë këtë rrugë tani, por frikë kam. Frikë kam sepse i njoh se çfarë monstrash janë. Ndjesë që flas kështu por...
Po patjetër, të gjitha rrugët administrative i kam ndjekur dhe po pres datën e gjyqit.