Prapaskenat - Gjokutaj tregon si po e zvarrit SPAK-u arrestimin e Ballukut për të shpëtuar pushtetin e Ramës
Një situatë e paprecedentë dhe e paqartë ligjore po rrethon fatin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ku drejtësia duket se po vepron me dy standarde. Gjatë një intervistë në emisionin Kafe Shqeto në Syri tv avokati I njohur Genc Gjokutaj tha se pozita e saj ligjore nuk po përcaktohet më nga ligji, por nga lëvizjet e llogaritura politike nëpërmjet Strukturës së Posaçme (SPAK). Publiku dhe vetë deputetët janë lënë në terr informativ, shpesh të manipuluar nga segmente të caktuara mediatike në favor të qeverisë.
Zhvillimet e fundit tregojnë për një skenar të mirëfilltë zvarritjeje. SPAK fillimisht kërkoi arrest me burg për shkelje të barazisë në tendera, por pasi Kuvendi ktheu mbrapsht kërkesën, akuza është rikonfiguruar në "pastrim të produkteve të veprës penale" dhe "korrupsion". Megjithatë, kërkesa e re nuk është formalizuar ende në Kuvend. Prokuroria pretendon se ka nevojë për hetime të mëtejshme, duke përmbysur logjikën juridike: normalisht, akuzat formalizohen pasi mbyllen hetimet, jo anasjelltas. Kjo vonesë bëhet edhe më kritike në prag të pushimeve verore, duke rrezikuar që çështja të shkojë në gjykatë pa kaluar procedurat parlamentare për masën e sigurisë.
Përtej kësaj, neglizhenca institucionale mund të thellojë skandalin. Nëse SPAK ka dërguar një kërkesë të dytë dhe Kuvendi nuk e ka vënë në lëvizje brenda afatit ligjor njëmujor, lindin përgjegjësi të reja penale për shpërdorim detyre, ku rrezikojnë të përfshihen zyrtarë të tjerë të lartë të Kuvendit. Ndërkohë, organi i akuzës bie në kontradiktë me veten duke deklaruar se mungesa e masës së sigurisë dëmton hetimet, por nga ana tjetër heziton ta përcjellë atë zyrtarisht në parlament.
Krahas këtij ngërçi, një tjetër betejë absurde po konsumohet në dyert e gjykatave. Lëvizjet për rikthimin në punë të Ballukut tregojnë një përplasje institucionale, e nxitur nga ndërhyrja e kryeministrit Rama. Edhe pse Gjykata Kushtetuese e ka dhënë një vendim në themel duke rrëzuar kërkesën e tij për të mbajtur në detyrë zëvendëskryeministren, Gjykata e Lartë vazhdon të mbahet në lojë për të njëjtën çështje, duke shtuar kaosin juridik.
Sippas shpjegimeve te avokatit gjatë bisedës me Flavio Qarrin, ky mosveprim i drejtësisë po shihet gjithnjë e më shumë si një taktikë mbijetese për mazhorancën aktuale.
Flavio Qarri: Në ç'pozitë ligjore është Balluku, një situatë e paqartë, ndoshta që nga premisa fillestare për publikun.
Genc Gjokutaj: Po tashi dëgjo, ka dy pozita ligjore. Një pozitë ligjore që e përcakton ligji dhe një pozitë ligjore që e përcakton Edi Rama nëpërmjet SPAK-ut. Pra, është e tmerrshme që jemi më keq sesa në rastin e asaj bejtes "selanik e tatëpjete, siç ka qenë do të jetë". Pra, ndodhemi në një situatë ku e lëmë publikun, po edhe deputetët, nuk e kanë të qartë, për shkak të segmenteve të caktuara të medias mashtruese në favor të Ramës.
Përse e them këtë? Ju e dini që unë kam qenë në studion tuaj kur është dhënë njoftimi mediatik që u nis kërkesa në Kuvend për Belinda Ballukun për të kërkuar masën e sigurimit arrest në burg. Tashti nuk e pohon zoti Braho dhe thotë "ne mund të bëjmë një kërkesë tjetër, por duke parë provat edhe rrethanat e çështjes". Çfarë provash dhe sa kohë e pret zoti Braho që të shikojë në lidhje me këtë çështje? Sepse Kuvendi ia ktheu mbrapsht kërkesën për arrest në burg për shkeljen e barazisë në tendera. Tashti, SPAK-u po na thotë që akuza është rikonfiguruar në pastrim të produkteve të veprës penale dhe në korrupsion. Dhe tashti, akuza është ri-formatuar, por kërkesa nuk është formalizuar dhe këta presin të bëjnë hetime. Shikoni, formalizimi i ri i akuzës bëhet mbasi ke përfunduar hetimet dhe ke arritur në një konkluzion. Jo ndryshon ti akuzën dhe pastaj bën hetime që ta konfirmosh atë akuzë dhe pastaj të gjejmë një moment, thotë Braho, që të shkojmë në Kuvend, ndërkohë që afatet nuk presin, pasi jemi përpara edhe pushimeve, dhe mos e dhëntë zoti që çështja të shkojë në gjykatë për t'u gjykuar përpara sesa kërkesa për masë sigurimi të vejë në Kuvend. Dhe ishte serioze nga ana e zotit Braho fakti që në komisionin parlamentar deklaron dhe thotë që imuniteti e pengon hetimin, pra mosdhënia e masës së sigurisë pengon hetimin, e kupton? Ne jemi që të hiqet fare imuniteti i deputetit, dhe nga ana tjetër nuk formalizon kërkesën për t'ia çuar Kuvendit.
Ne ndodhemi në një situatë të tillë që nëse SPAK-u i ka dërguar Kuvendit një kërkesë dhe Kuvendi nuk e ka vënë në lëvizje atë kërkesë dhe këta rreken të bëjnë një kërkesë tjetër me të njëjtën përmbajtje, por muaj më vonë, atëherë këtu jemi në rastin më të rënduar të mundshëm nga pikëpamja ligjore pasi këtu jo vetëm që kemi përgjegjësinë e zonjës Balluku e cila nuk dihet si trajtohet sipas rrugës proceduriale që përcakton ligji, por këtu lindin përgjegjësi të reja.
Se minimalisht, nëse është dërguar njëherë kjo kërkesë dhe nuk është vënë në lëvizje brenda afatit ligjor një mujor nga ana e Kuvendit, kemi edhe dy të pandehur të tjerë, zotin Peleshi dhe zotin Gjonçaj, sekretarin e përgjithshëm, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Pra, mosvënia në lëvizje e kërkesës që SPAK-u ka bërë në këtë rast. Nëse nuk është bërë kjo kërkesë, atëherë neve nuk kemi çfarë kërkojmë nga SPAK-u, i cili në rastin e shkeljes së barazisë së tenderave kërkon arrest në burg dhe mbas kthimit të kësaj rëndon akuzën me korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale, por nuk dërgon kërkesën në Kuvend, ndërkohë që thotë mungesa e masës së sigurisë dëmton hetimin.
Tashti mblidhini, pjestojini, shumëzojini këto dhe nxirrini juve se në ç'derexhe ka përfunduar procesi ndaj Ballukut edhe pritshmëria jonë.
Sa i përket Gjykatës së Lartë për rikthimin në punë, unë nuk e kuptoj dot, a ka mbrojtës kjo zonja Balluku? Sepse çështjet e rikthimit në punë, apo paligjshmërinë e pezullimit nga detyra, kjo është kërkuar nga zoti Rama. Në bazë të një germe të Kushtetutës ku kryeministri mund të kërkojë pakushtetutshmërinë e një veprimi të caktuar. Mbani mend, në krye të herës e shfrytëzoi këtë kompetencë zoti Rama, dhe ajo gjykatë e ka zgjidhur problemin. Pra bëri masë provizore që e ktheu në punë 20 ditë a një muaj, dhe në themel pastaj e rrëzoi kërkesën e zotit Rama, që në fakt është kërkesa e zonjës Balluku, për qëndrimin e saj në detyrë. Po nuk e kuptoj si Gjykatë e Lartë se çfarë gjykimi do bëjë tashti dhe se si e kanë kaluar për gjykim, kur kjo në bazamentin e saj kushtetues është zgjidhur me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kjo pastaj ka një impakt tjetër sepse sigurisht heshtja e SPAK-ut dhe mosveprimi ndaj këtij korrupsioni, ndërkohë që merret me Himarën edhe me hipotekën e Tiranës, por nuk merret pikërisht me problemin që po vlon tashmë edhe në bulevard.
Sepse shiko, ky është një qark i integruar, mos kujtoni ju se këto ndodhin rastësisht. Ky është një qark i integruar ku SPAK-u haptazi nuk vepron tashti sepse kanë hall, sepse regjistrimi dhe avancimi i hetimeve apo më keq pastaj marrja e masës së sigurimit ndaj zonjës Balluku e çon këtë mazhorancë në parametra pezhorativë. Dhe SPAK-u aty për këtë punë ka qenë. SPAK-u është gardiani i kësaj mazhorance, pa ekzistencën e të cilit kjo mazhorancë do t'i kishte dorëzuar pushtetin dy mandate përpara. Mosveprimi i SPAK-ut dhe spërdredhja që po bën në publik, një organ për të cilin janë lënë leshtë e kokës për t'u bërë kjo njësi, një investim shumë i madh, njerëzor, teknik, logjistik, e të krijosh një makinë tymi për të mashtruar publikun dhe për të mos vepruar ashtu siç ligji të detyron, kjo është shumë e tepërt për Shqipërinë edhe është shumë e rëndë në raport me situatën…