2025, performanca e Portit të Durrësit përkeqësohet në indeksin global të Bankës Botërore

Porti i Durrësit ka shënuar përkeqësim të performancës në Container Port Performance Index (CPPI) 2025, raporti më i fundit i Bankës Botërore dhe S&P Global Market Intelligence, që mat efikasitetin e porteve të kontejnerëve në mbarë botën bazuar në kohën që anijet kalojnë në port.

Sipas raportit, Porti i Durrësit për vitin 2025 kishte rënie të përformancës me  -28.6, një nivel më i dobët se një vit më parë, kur indeksi ishte -10. Indeksi tregoi se porti shqiptar mbetet nën mesataren ndërkombëtare për sa i përket kohës së përpunimit të anijeve.

Për Shqipërinë, rezultatet tregojnë se Porti i Durrësit vijon të përballet me sfida në efikasitetin operacional, në një kohë kur vendi ka nisur projektin për zhvendosjen e aktivitetit tregtar drejt Porto Romanos, që synon krijimin e një terminali modern dhe rritjen e rolit të Shqipërisë në korridoret rajonale të transportit. Përmirësimi i performancës së portit mbetet thelbësor për uljen e kostove të tregtisë dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Në analizën e përgjithshme, Banka Botërore thekson se në vitin 2025 performanca globale e porteve është përkeqësuar lehtë krahasuar me vitin 2024, pasi anijet kanë kaluar më shumë kohë në porte për shkak të tensioneve në zinxhirët e furnizimit. Megjithatë, portet në ekonomitë me të ardhura të mesme të larta dhe të larta vazhdojnë të kenë kohë më të shkurtra përpunimi falë infrastrukturës më të mirë, dixhitalizimit dhe koordinimit më efikas mes operatorëve dhe autoriteteve portuale.

Raporti nënvizon se portet më efikase janë ato që minimizojnë kohën e pritjes së anijeve, kanë kapacitete të mjaftueshme në kalata dhe vinça, si dhe sisteme të avancuara dixhitale për planifikimin e operacioneve. Në të kundërt, vonesat në ankorim, mbingarkesa e terminaleve dhe koordinimi i dobët rrisin kohën e qëndrimit të anijeve dhe ulin performancën e portit.

Porti i Durrësit rezulton më dobët se mesatarja e porteve të Mesdheut në indeksin CPPI 2025. Durrësi nuk është ndër portet më problematike të Mesdheut, por është poshtë mesatares rajonale dhe larg porteve më efikase. Rezultati negativ tregon se koha e qëndrimit të anijeve në port mbetet më e gjatë se standardi krahasues i indeksit.

Mesatarja e rajonit “Mediterranean” në raport është -10.4, ndërsa Durrësi ka rezultat -28.6, duke u renditur në vendin e 323 në botë. Edhe në krahasim me portet më të afërta të Adriatikut, Durrësi renditet dobët. Psh Bar në Mal të Zi ka rezultat pozitiv 7.9, Ploçe në Kroaci është më mirë me -6.3, ndërsa Venecia është afër Durrësit me -25.9. Megjithatë, Durrësi qëndron më mirë se disa porte të tjera të rajonit, si Koper me -58.6, Trieste me -130.7 dhe Rijeka me -238.9. /B.Hoxha – Monitor/