'Qeveria të kontrollojë kullat, jo qytetarët'/ Lika: Tregu i banesave i deformuar, çmimet e apartamenteve të fryrë artificialisht
Ekspertja e auditimit, Meri Lika, akuzoi qeverinë se po ushtron kontrolle të ashpra ndaj qytetarëve të zakonshëm, ndërsa firmat e ndërtimit që realizojnë investime të mëdha nuk po hetohen për burimin e financimeve.
E ftuar në emisionin “KAFE SHQETO”, Lika tha se tatimet po u kërkojnë qytetarëve një sërë dokumentesh për të justifikuar blerjen e një makine të përdorur, ndërsa nuk po ushtrojnë të njëjtin kontroll ndaj kompanive të ndërtimit.
Sipas saj, qeveria ka lejuar që kompani me kapital minimal të nisin projekte ndërtimi pa garanci financiare, duke u financuar nga parapagesat e qytetarëve. Lika shtoi se kjo ka deformuar tregun e banesave, ka rritur ndjeshëm çmimet dhe e ka bërë gjithnjë e më të vështirë për familjet e zakonshme blerjen e një shtëpie.
Lika:
Nëse ke bërë një transaksion i cili është, ta zëmë për të blerë një makinë, atëherë ata kanë filluar dhe të kanë përfshirë në hetimin tatimor për të të kontrolluar të ardhurat, ku i gjete ti paratë për të blerë këtë makinë. Por nuk janë marrë asnjëherë me firmat e ndërtimit dhe nuk po merren me firmat e ndërtimit, për të treguar se ku i kanë gjetur paratë për të bërë këtë investim. Duke qenë se kapitalet e shumicës prej tyre janë akoma nga 100 mijë lekë të vjetra... më fal, 100 mijë lekë të reja.
Po, domethënë në zyrën time kanë ardhur shumë qytetarë, në zyrën time kanë ardhur shumë qytetarë me të cilët tatimet po merren për një blerje makine. Sado e shtrenjtë të jetë kjo makinë, kuptohet që ai nuk ka shkuar ta blejë te koncesionari, sepse po ta kishte blerë te koncesionari pagesa do ishte bërë rregullisht në bankë. Por e ka blerë në një transaksion mes dy qytetarësh, që sado e shtrenjtë të jetë ajo nuk mund t'i kalojë 20 mijë euro. Sepse kuptohet që janë makina të përdorura. Dhe një makinë e tillë 20 mijë euro, sipas tatimeve dëmtonka ekonominë, por transaksione gjigande parash nuk e dëmtojnë ekonominë.
Pra, jemi dhe në këto kushte, sepse tatimet duan dhe të tregojnë që po punojnë, por punën e tyre e drejtojnë tek qytetari i rregullt, i ndershëm, i cili mund të ketë mbledhur kursimet e tij dhe do që të blejë një makinë. Por këto tatimet i kërkojnë aq shumë dokumenta sa nuk mund t'ia merrni dot me mend. I kërkojnë statement bankar, domethënë ekstraktet bankare, i kërkojnë çfarë pronash ke blerë, ku i ke blerë, më jep kontratën, nga kush e bleve, ku i gjete lekët, a ke kryer ndonjë transaksion tjetër, sa para ke të ardhura, më sill letrat nga kontributet e sigurimeve shoqërore, ku i gjete këto lekë, si e gjete makinën për ta blerë, kush të tha...Po, është duke u bërë një gjueti shtrigash, ndërkohë që sisteme të tilla si për shembull, po të shkojmë tek Durrës... në Durrës tek Porti i Durrësit, ku një investitor strategjik merr lejen për ndërtim, merr dhe statusin e investitorit strategjik kështu që përjashtohet dhe nga taksat e tatimet, por në fakt ndërtimi bëhet normalisht nga shoqëri shqiptare, shitet ajër dhe mblidhen lekë.
Atëherë unë po e nis nga fundi, atje ku e le ti Flavio, tek momenti që nuk është ndonjë gjë edhe pastrimi i parave. Këtë qeveria e ka treguar se ka disa vite radhazi që u përpoq të bënte amnisti fiskale, penale, evazioniste, të gjitha i mori parasysh, por nuk arriti dot që ta bënte deri në atë masë që ajo donte. Kështu që ajo i ka dhënë të drejtë këtyre lloj personave që kanë fituar këto para, për t'i legalizuar ato. Tani unë do të them diçka për qytetarin në fakt, me shifra. Që në 2013-ën, çmimi për metër katror në Tiranë ka qenë mesatarisht rreth 700 euro. Ndërsa sot është 2000 deri në 2100, po ka vajtur dhe 3 edhe 7 nëpër disa zona.Çfarë na tregon kjo?
Në ekonomi, studentët e ekonomisë dhe të financave, gjëja e parë që mësojnë kur shkojnë në shkollë është që shtesa e ofertës bën që të ulen çmimet. Pra, oferta dhe çmimet janë gjithmonë në një përpjesëtim të zhdrejtë, nëse njëri rritet, tjetri ulet. E kundërta ndodh te ne. Tek ne trefishohen çmimet edhe pse kërkesa është ulur jashtë mase shumë. Sepse tani dhe me këto çmime, një qytetar i mesëm, i nivelit të mesëm, një familje e re në nivel të mesëm e ka të pamundur që të blejë një shtëpi. Dhe kështu që ky lloj deformimi që i është bërë ekonomisë edhe çmimeve, e ka nxjerrë jashtë tregut qytetarin e thjeshtë.
Qytetarin e kanë lënë në mëshirë të fatit, që ai është i destinuar që të jetojë gjithmonë me qira, por dhe kjo qira është në bazë të këtyre çmimeve... janë rritur dhe çmimet e qirave, kanë vajtur në stratosferë dhe ato. Kështu që qytetari i thjeshtë është i detyruar të marrë shtëpi me qira në zona komplet të largëta, për të cilat i duhet të ketë dhe një transport publik shumë të mirë. Tani unë mund të flas shumë këtu edhe për mënyrën se si funksionon ndërtimi në Shqipëri. Dhe pse ndërtimi është bërë baza kryesore për pastrimin e parave?
Sepse qeveria i ka lënë dorë të lirë firmave të ndërtimit që të krijohen dhe të fillojnë të ndërtojnë dhe pa pasur asnjë kapital.Pra, me një kapital minimal që mund të jetë 100 mijë lekë, kushdo mund të hapi një firmë ndërtimi. Mjafton të ketë linjat e duhura që të marrë lejen e ndërtimit, dhe mund të ndërtojë duke shitur ajër, dhe duke punuar me lekët e qytetarëve. Besoj e kemi vënë re që të gjithë që në Shqipëri, në Tiranë po dhe në rrethe, shumë apartamente, godina, fillojnë të ndërtohen por duan me vite të tëra që të mbarojnë, sepse varen vetëm nga të ardhurat që u sjellin qytetarët, apo nga mënyra për të gjetur paranë e pistë për të hyrë në treg.
Nuk e mbaj mend mirë periudhën të them të drejtën kur ka ndodhur, por Shoqata e Bankave ka kërkuar që bankat në momentin që kryheshin... që kryheshin veprimtari me shoqëritë e ndërtimit... për shembull ato shoqëritë shkonin dhe derdhnin depozita, para në banka me përshkrimin, para të derdhura nga klientët, dhe dorëzojnë një kontratë që mund të kenë lidhur parapagimi ose kontratë sipërmarrje me një klient, dhe i dorëzojnë paratë në bankë. Shoqata e Bankave ka kërkuar që të mos kërkohej... të mos merrej si bazë vetëm kontrata, por të kërkohej burimi i të ardhurave. Por kjo gjë nuk u mor parasysh nga Banka e Shqipërisë, sigurisht as nga qeveria, sepse nuk u ka interesuar kjo.
Po jo, nuk ka fare. Sepse faktikisht, për një firmë ndërtimi sipas logjikës ekonomike duhet të kishte garanci në cash. Të kishte mjete monetare të cilat të garantojnë që dhe pa blerë askush, ti që po merr përsipër këtë projekt ta ndërtosh.Po patjetër pra, ti përderisa e merr këtë iniciativë, ti duhet t'i kesh kapitalet për ta ndërtuar këtë. Ashtu si një shoqëri tregtare, e cila do të prodhojë një produkt, që merr përsipër që të blejë makineritë, të ketë fuqinë punëtore, të blejë lëndën e parë, për ta filluar prodhimin e këtij produkti, atëherë dhe kjo shoqëri në ndërtim duhet të ketë patjetër një garanci, e cila të lejojë që të ndërtohet objekti.