‘Çausholli i qeverisë grushta qytetarit! Krim!’/ Berisha nxjerr VIDEO-n e sherrit në ‘Bllok’
Denoncimi i publikuar në Facebook nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza të forta lidhur me një incident të ndodhur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku sipas tij është përfshirë biznesmeni Nadir Çausholli.
Ngjarja është bërë publike edhe përmes pamjeve filmike që kanë qarkulluar në media dhe rrjete sociale.
Postimi i plotë:
Çausholli i qeverisë grushta qytetarit! Krim!
Nga JOQ:
Nadir Çausholli, i njohur ndryshe si ushtar i Erion Veliajt, pronari i kompanisë farmaceutike “CFO Pharma” dhe i flotës së autobusëve Green Line që shquhen vetëm për aksidente, është përfshirë në një konflikt fizik mesditën e së hënës (6 korrik 2026) në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Si duket, veç vjedhjes së parave të popullit përmes tenderave me flamur të kuq, falë edhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe shtetit, Çausholli ka dhe një talent tjetër, atë të dhunës fizike.
Oligarku shfaqet duke u përleshur me një person tjetër, i identifikuar paraprakisht si pronari i një lokali në zonë. Pamjet tregojnë se ai fillimisht ngre duart në shenjë qetësimi, por më pas tenton të godasë me shkelm personin tjetër, ndërsa disa persona ndërhyjnë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Sipas informacioneve paraprake, motivi i përplasjes nuk është bërë ende i ditur. Megjithatë, mësohet se personi i përfshirë në konflikt ka depozituar kallëzim penal ndaj Nadir Çaushollit për veprat penale të pretenduara të “kanosjes” dhe “shkatërrimit të pronës”. Në pamjet filmike duket se shoqëruesit e biznesmenit ndërhyjnë për ta larguar nga ambienti, duke e nxjerrë në trotuar, ndërsa situata tensionohet për disa momente.
Ngjarja vjen në një periudhë kur emri i Çaushollit është përmendur edhe në hetime të tjera, teksa JOQ shumë herë ka denoncuar tenderat me flamuj të kuq dhe skandalet me autobusët e tij Green Line, që janë të shumta rastet e aksidenteve të kryera. Pak muaj më parë, Prokuroria e Tiranës vendosi masa sigurie ndaj disa vartësve të kompanisë “CFO Pharma”, të dyshuar për një skemë mashtrimi me rimbursimin e barnave. Sipas hetimeve fillestare, dëmi ekonomik u vlerësua rreth 700 mijë euro, ndërsa më pas Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor raportoi se dëmi i dyshuar financiar mund të kalojë vlerën e 2.3 milionë eurove. Hetimet për këtë çështje vijojnë.