Kroacia nuk pajtohet me eliminimin, dërgon ankesë zyrtare në FIFA pas ndeshjes me Portugalinë

Federata Kroate e Futbollit (HNS) ka dërguar një ankesë zyrtare në FIFA, duke shprehur pakënaqësinë e saj për arbitrimin në ndeshjen ndaj Portugalisë, e zhvilluar të premten në Toronto në kuadër të Botërorit 2026.

Kroatët u eliminuan nga turneu pas humbjes 2-1, ndërsa polemikat u shtuan pasi në minutat e fundit iu anulua një gol i Josko Gvardiolit. Gjyqtari norvegjez Espen Eskas e mori vendimin pasi FIFA njoftoi se sensori i vendosur brenda topit kishte regjistruar një prekje me flokët e Igor Matanoviçit, çka solli sinjalizimin për pozicion jashtë loje.

Zëdhënësi i Federatës Kroate, Tomislav Pacak, zbuloi përmbajtjen e letrës dërguar presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

“Federata Kroate e Futbollit i ka dërguar një letër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, ku kemi shprehur zhgënjimin dhe mospajtimin tonë të thellë lidhur me ndeshjen ndaj Portugalisë. Nuk bëhet fjalë vetëm për vendimet e arbitrimit, pasi ato mund të diskutohen pas çdo ndeshjeje, por për procesin që çoi në marrjen e këtyre vendimeve”, deklaroi Pacak.

Sipas HNS-së, dy episodet më të debatueshme ishin penalltia e akorduar për Portugalinë dhe anulimi i golit të barazimit të Gvardiolit.

“Ne besojmë se në rastin e penalltisë për Portugalinë, protokolli i VAR-it është zbatuar krejtësisht gabim dhe arbitri nuk duhej të ishte ftuar për të rishikuar pamjet. Edhe më problematik është anulimi i golit të Gvardiolit, ku u sinjalizua pozicion jashtë loje për Pasaliçin për shkak të një prekjeje të pretenduar të topit nga Matanoviçi, e cila sipas mendimit tonë nuk ka ekzistuar dhe është bazuar vetëm te sensori i topit”, theksoi ai.

Në përfundim, Federata Kroate e cilësoi këtë rast si një “keqpërdorim të teknologjisë” dhe kërkoi sqarime të detajuara nga FIFA.

“Ne e mbështesim përdorimin e teknologjisë në futboll, por mendojmë se në këtë rast ajo është përdorur në mënyrë të gabuar dhe nuk i shërben as FIFA-s, as skuadrave dhe as tifozëve. E dimë se kjo letër nuk do ta zbusë zhgënjimin e lojtarëve dhe tifozëve tanë, por e konsiderojmë të rëndësishme të kërkojmë një shpjegim të plotë për të gjitha këto vendime”, përfundoi Pacak.