‘Anuloni ligjin’/ Ambjentalisti: Shqipërisë nuk i mungojnë pasuritë, por një qeveri që punon për qytetarët

Ambjentalisti Oljan Dervishi mbajti një fjalim në protestën qytetare kundër qeverisë së Edi Ramës, ku ngriti shqetësimin për, sipas tij, rrezikun që i kanoset mjedisit dhe zonave të mbrojtura nga politikat aktuale të zhvillimit.

Dervishi kërkoi shfuqizimin e ligjit 21/24 dhe vendosjen e një moratoriumi për ndërhyrjet në zonat e mbrojtura, duke argumentuar se dëmet ndaj lagunave, pyjeve dhe ekosistemeve janë të pakthyeshme.

Ai tha se Shqipërisë nuk i mungojnë burimet apo potenciali, por një qeverisje që, sipas tij, vendos interesin e qytetarëve dhe të natyrës mbi interesat e ngushta.

Ambjentalisti Oljan Dervishi: Mirëmbrëma të gjithëve! Jam një nga mjedisorët. Edhe sot me dëshirë do doja shumë të flisja për lumin Shkumbin, për lumin Erzen, për Ishmin, për lumin Tiranë, Zezë, Tërkuzë... por e di që këtu ne të gjithë s'jemi për vetëm lumenjtë. Këtu jemi për mënyrën si po qeveriset Shqipëria.

Shumë nga ju... shumë nga ju mund të pyesni, 'Ore pse kërkoni kaq shumë të ngulni këmbë për shfuqizimin e ligjit 21/24? Apo pse po kërkoni moratorium në zonat e mbrojtura?' Edhe te kjo ne flasim, 21% e territorit është në rrezik, sepse në fund një hotel mund ta prishësh, një resort mund ta prishësh. Por kur vjen puna te një lagunë, nuk e kthen dot më. Kur vjen puna te pylli, nuk e kthen dot më. Kur vjen puna te natyra, nuk e kthen dot më!

Anuloni ato ligje që e dimë shumë mirë që nuk janë bërë për popullin shqiptar. Janë bërë për një pakicë njerëzish. Ndërsa koston e paguajmë të gjithë ne, edhe ata na e shesin për zhvillim. Po kur vjen puna te zhvillimi një pyetje kam për këta. Çfarë vizioni keni për Shqipërinë? Keni vizionin e të qenurit shërbëtorë tek investitorët? Po kur vjen puna te populli shqiptar, te ata njerëz që në të gjithë anët e botës, jeni ju të parët që tundni flamurin e krenarisë... po jemi i njëjti popull! Kemi po të njëjtin vullnet, po të njëjtën punë, po të njëjtën dëshirë për të kontribuar dhe bërë. Ndërsa ju na doni kokëulur në vendin tonë. Prandaj, ne nuk na mungon asnjëra nga këta që sapo thashë, ne na mungon një qeveri që punon për popullin e tij! Shqipëri e re!