‘Rama është një kufomë politike’/ Tepelena: Mbështetja ndërkombëtare për revoltën po rritet çdo ditë
Protesta qytetare ku kërkohet dorëheqja e Edi Ramës, vjen me mesazhe të forta kundër kreut të qeverisë Ramës, ndërsa organizatorët janë shprehur se, lëvizja po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje nga faktorë ndërkombëtarë dhe po shndërrohet në simbol të rezistencës qytetare.
Gjatë fjalës së mbajtur në protestë, Andi Tepelena u shpreh se shkallët ku zhvillohet tubimi do të mbeten një simbol historik i qëndresës qytetare. Në fjalën e tij u përmend edhe një deklaratë e ambasadorit gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, lidhur me protestat paqësore.
Tepelena deklaroi se, protesta ka ndryshuar ndjeshëm perceptimin publik për Edi Ramën. Sipas tij, pavarësisht mjeteve modeste, protesta ka arritur të sfidojë propagandën e qeverisë.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që protesta të vazhdojë paqësisht dhe të shndërrohet në një tribunë të lirë për të gjithë shqiptarët.
‘Mbase një ditë kur të krijojmë muzeun e memories kolektive, kur përmenden protestat në Shqipëri, me siguri kjo shkallë do jetë një nga pikat muzeale më të rëndësishme.
Ne po marrim dita-ditës mbështetje nga ndërkombëtarët.
Një kongresmen, një ligjvënës, ka hapur hetim për qeverinë shqiptare dhe për Edi Ramën për lidhjet e tij me drogën.
Europarlamentarët erdhën para disa ditësh këtu, u bashkuan protestës. Europarlamentarë të tjerë të vijnë në ditët që vijojnë. Sot kemi një mbështetje të jashtëzakonshme.
Kemi marrë një mbështetje të jashtëzakonshme nga ambasadori i shtetit më të fuqishëm të Bashkimit Europian, Gjermanisë.
Më lejoni ta lexoj: Prej 37 ditësh po zhvillojmë një revoltë paqësore qytetare për largimin e qeverisë dhe tërheqjen e Edi Ramës. Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, komentoi protestat paqësore që po zhvillohen në Shqipëri, duke i cilësuar ato pjesë e vlerave europiane.
Citoj si më poshtë:
'Duhet të vlerësojmë ata që zbatojnë vlerat e BE-së në përditshmëri, por dhe ata që qëndrojnë për të kërkuar zbatimin e ligjit, mbrojtjen e natyrës dhe çështje të tjera që lidhen me procesin e integrimit. Çdo aktivitet i shoqërisë civile që është në përputhje me vlerat e Bashkimit Europian, është i mirëpritur. Protestat e dhunshme nuk janë pjesë e vlerave të BE-së, dhe se kush ka faj për dhunën e ushtruar është ende në diskutim.'
Me këto fjalë, ambasadori gjerman Karl Bergner na jep një mbështetje të qartë dhe të fuqishme për protestën tonë paqësore. Ai e sheh si pjesë e vlerave europiane dhe si të drejtë të qytetarëve që kërkojnë ligj dhe drejtësi.
Të vazhdojmë me dinjitet e vendosmëri.
Shumë pyesin, çfarë po ndodhi me protestën?
A ju kujtohet që para një muaji, ky ishte një mbret i plotfuqishëm. Ishte në dorë gjithçka.
Sot, mbas një muaji, Edi Rama është i diskredituar në sytë e të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë botës demokratike. Sot Edi Rama është një kufomë politike.
Pas një muaji do jetë një hiç politik! Ta vazhdojmë kështu, të dashur miq dhe vëllezër, motra dhe vëllezër, ta vazhdojmë kështu.
Ai hedh miliona euro propagandë, ne vetëm me 30 karrige, me dy-tre shkallë, me një foni, dhe falë jush, e kemi kthyer në një mbetje politike. Fundi i Edi Ramës dhe i kësaj shpure është i pashmangshëm.
Me vendosmëri, me persistencë, me këmbëngulje dhe paqësisht do ta largojmë njëherë e mirë atë dhe do të mbetet në koshin e historisë. Tani si gjithmonë kjo është kthyer në një agora të demokracisë. Këtu vijnë nga e gjithë Shqipëria për të shprehur, nga e gjithë Shqipëria, kur flasim nga trojet shqiptare, nga hapësira shqipfolëse, shqiptare, nga diaspora, për të nxjerrë dufin, për të shprehur mllefin ndaj kësaj qeverie.
Për të thënë që Shqipëria nuk është Shqipëria e propagandës, por është Shqipëria e një milion halleve. Le ta vazhdojmë këtë agora të demokracisë. Le ta kthejmë këtë në një hapësirë ku të gjithë shqiptarët, të gjitha shtresat sociale, të gjithë profesionistët, të gjithë intelektualët, artistët, të gjithë qytetarët e lirë të këtij vendi, të thonë fjalën e tyre’, theksoi Andi Tepelena gjatë fjalës së tij.