Protesta e 37-të qytetare/ Protestuesja i lexon sërish kërkesat Ramës: Jepe dorëheqjen
Në protestën e 37-të qytetare, një protestuese paraqiti sërish kërkesat kryesore të protestës, duke nisur me dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit dhe qeverisë.
Ajo kërkoi krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake me mandat 12-mujor, si dhe ndryshime kushtetuese për barazi para ligjit dhe miratim me referendum, përfshirë reformën zgjedhore dhe financimin e partive.
Ndër pikat e tjera u theksua kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate, shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Thirrja përmbyllëse ishte: “Rama, jepe dorëheqjen!”, duke iu referuar kryeministrit Edi Rama që të dorëhiqet.
Përshëndetje! Sot jemi këtu sërish për të shprehur pesë pikat tona, të cilat ne i kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë t’i kërkojmë deri në fund të kësaj proteste.
Do të nisim me të parën, e cila është dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit dhe e qeverisë.
Me të dytën, krijimin e një qeverie teknike, tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
Vazhdojmë me të tretën, ndryshime kushtetuese, që të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë, ndër të tjera, ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimet në ligjin për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme.
Kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës politike të një individi. Paralelisht, kërkojmë anulimin e ndryshimit të bërë në ligjin për zonat e mbrojtura.
Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore dhe, jo më pak e rëndësishme, shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si paketa e maleve. Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme si pikë, është kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës sonë.
Këto pika do të vazhdojmë çdo ditë t’i risjellim. Nuk do të ndalojmë. Këtu jemi të gjithë.
Rama, jepe dorëheqjen!