Ahmadinejad rikthehet ‘nga të vdekurit’ shfaqet në funeralin e Khameneit
Ish-presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, është shfaqur në funeralin e Ajatollah Ali Khameneit, pavarësisht se në fillim të luftës ishte raportuar i vrarë.
Ahmadinejad ishte mes miliona qytetarëve të veshur me të zeza që dolën të hënën në rrugët e Teheranit për të shoqëruar arkivolin e udhëheqësit suprem të vrarë.
Ish-presidenti me qëndrime të ashpra, i cili drejtoi Iranin nga viti 2005 deri në vitin 2013, u shpall i vdekur nga disa media iraniane të lidhura me shtetin në ditën e parë të luftës, kur sulmet izraelite dhe amerikane vranë Khamenein dhe një pjesë të madhe të udhëheqjes së vendit.
Besohej se ai kishte humbur jetën pasi një raketë goditi pranë banesës së tij.
Në muajt që pasuan, Ahmadinejad nuk u pa dhe nuk u dëgjua më në publik, ndërsa autoritetet iraniane nuk dhanë asnjë konfirmim apo përgënjeshtrim zyrtar për fatin e tij, duke lënë statusin e tij mes shumë paqartësive të ditëve kaotike të para të luftës.
Megjithatë, të hënën ai u shfaq për herë të parë në publik që nga fillimi i luftës, duke lëvizur mes turmës së pjesëmarrësve në ceremoni, i veshur me një xhaketë dhe me maskën e ulur poshtë në qafë.
Rikthimi i tij ndodhi një ditë pasi dy ish-presidentët e tjerë ende gjallë të Iranit, Mohammad Khatami dhe Hassan Rouhani, munguan në ceremonitë mortore. Sipas kritikëve, ata nuk ishin ftuar të merrnin pjesë.
Ahmadinejad u shfaq në atë që konsiderohet një nga funeralet më të mëdha në historinë e Iranit. Në mesin e turmës ishte edhe ministri i Jashtëm, Abbas Araghchi, i cili u fotografua duke lëvizur me motoçikletë përmes turmës së madhe të njerëzve.
Përgjatë itinerarit të funeralit, disa pjesëmarrës kishin varur një kukull që paraqiste Donald Trump, ndërsa valëvitnin pankarta me thirrje për vdekjen e tij.