Ibrahimoviç kritikon Brazilin pas eliminimit: Nuk më bindi asnjëherë në këtë Botëror

Zlatan Ibrahimoviç ka qenë shumë kritik ndaj paraqitjes së Brazilit në Botërorin 2026, pas eliminimit surprizues të “Seleçaos” nga Norvegjia me rezultatin 2-1 në 1/8-at e finales.

Ish-sulmuesi suedez, i cili gjatë Kupës së Botës po punon si analist për një televizion amerikan, deklaroi se skuadra braziliane nuk e kishte bindur në asnjë moment gjatë turneut dhe se humbja ndaj Norvegjisë nuk ishte aspak surprizë për të.

“Brazili nuk më bindi kurrë, që nga ndeshja e parë. Ndryshimet që bëri Carlo Ançeloti nuk dhanë rezultat, ndërsa ato të Solbakkenit funksionuan. Dukej sikur Norvegjia po luante ‘jogo bonito’, ndërsa Brazili po luante... nuk e di çfarë. Ata vallëzonin sipas ritmit të erës”, u shpreh Ibrahimoviç.

Suedezi nuk i kurseu elozhet për Norvegjinë, e cila me dy golat e Erling Haalandit siguroi një kualifikim historik në çerekfinale.

“Kur luani është i uritur, ai ha. Kjo Norvegji më kujton Suedinë e vitit 1994. Të shohim nëse do të arrijë aq larg sa arriti ajo skuadër. Historia është disi e ngjashme dhe është bukur ta shohësh vazhdimin e saj”, deklaroi ai.

Ibrahimoviç komentoi edhe vendimin e Neymarit për t'i dhënë fund karrierës me kombëtaren braziliane.

“Ai do të mbahet mend si një futbollist i madh që erdhi në Evropë dhe pati një karrierë të shkëlqyer te Barcelona dhe PSG. Megjithatë, mendoj se shumë njerëz do të thonë se mund të kishte arritur edhe më shumë, sepse kishte talentin për ta fituar Topin e Artë. Ai kishte një talent të jashtëzakonshëm”, përfundoi legjenda suedeze.