Aulon Kalaja: Bushneshi furnizohet me energji si në kohën e Enver Hoxhës, kabina pa asnjë masë sigurie

Kreu i PD-së në Krujë, Aulon Kalaja, ka denoncuar gjendjen alarmante të rrjetit elektrik në fshatin Bushnesh, Njësia Administrative Thumanë, duke e cilësuar kabinën elektrike si një "rrezik vdekje" për banorët, veçanërisht për fëmijët.

Sipas Kalajës, kabina është pa asnjë element sigurie, me tela të ekspozuar dhe derë të hapur, ndërsa banorët përballen prej vitesh me tension shumë të ulët, ndërprerje të shpeshta të energjisë dhe mungesë investimesh, duke e krahasuar situatën me infrastrukturën e mbetur që nga koha e regjimit komunist.

Aulon Kalaja: Është rrezik vdekje. Ju përshëndes të gjithëve, ndodhem në fshatin Bushnesh, njësia administrative Thumanë, Bashkia Krujë. Kam ardhur për t'ju treguar mënyrën se si ky fshat furnizohet me energji elektrike. Këtu është kabina, siç e shikoni, këtu nuk ka asnjë element sigurie. Duhet me pas shumë kujdes sepse telat janë nëpër këmbë. Këtu janë fatet e dritave të shumë e shumë familjeve. Tensioni është totalisht i dobët, nuk ka asnjë element sigurie, dera është e hapur, dhe shqetësimi i banorëve është pikërisht ky tension i ulët që nuk i funksionon as frigoriferi, as kondicioneri apo pajisje të tjera elektroshtëpiake, ngaqë tensioni shkon deri në 100. Kjo është mënyra se si është investuar, që në kohën e Enver Hoxhës, që është bërë investimi i fundit dhe nuk kemi këtu asnjë lloj elementi sigurie apo mënyrë se si këta banorë të marrin një përgjigje kur bie shi apo ka probleme me motin sepse shkëputen dritat. Shikoni mënyrën se si janë lidhur telat këtu. Pra, është e pafalshme nga operatori i sistemit të transmetimit që mos bëhet asnjë lloj investimi. Pra, kjo është kabina dhe gjendja. Pamjet flasin vetë, nuk kam çfarë komenti tjetër të jap. Është totalisht një ngrehinë e rrënuar, një kabinë e dalë jashtë përdorimit. Mund të futesh me lehtësinë më të madhe. Shpresoj shumë që këtu mos të vijnë fëmijë të vegjël sepse mund të rrezikojë jetën. Pra, është rrezik vdekje. Kjo është mënyra se si vetë banorët i kanë kapur telat dhe i kanë lidhur. Po të zgjatet dora kapen telat e korentit, këtu janë dy tjegulla. Duket sikur ka ndalur koha këtu dhe këto janë telat e korentit. Sa herë fryn një erë, sa herë vjen një vetëtimë, sa herë bie shi, këtu ndërpritet energjia elektrike dhe banorët ngelin pa drita.