Refuzoi 2 milionë euro për një numër telefoni, italiani merr deri në 2 mijë telefonata në ditë

Një koleksionist italian, i njohur me nofkën ‘Zoti Sim’, ka tërhequr vëmendjen pasi refuzoi një ofertë prej 2 milionë eurosh për të shitur atë që konsiderohet si një nga numrat më të rrallë të telefonit në botë.

Historia e tij u bë publike gjatë një interviste me youtuberin italian Andrea Galeazzi. Burri, i cili ka zgjedhur të mbetet anonim, është mes moshës 40 dhe 50 vjeç dhe zotëron numrin italian (+39) 333 3333333, i njohur edhe nga Rekordet Guinness si një numër unik për shkak të kombinimit të tij të pazakontë dhe lehtësisë për t'u mbajtur mend.

Sipas tij, numrin e ka në pronësi prej rreth 18 ose 19 vitesh. Pikërisht fama e tij ka bërë që çdo ditë të marrë nga 1.500 deri në 2.000 telefonata.

Ai shpjegon se shumë persona e përdorin këtë kombinim gjatë regjistrimeve në internet, rezervimeve apo formularëve online për të shmangur dhënien e numrit të tyre të vërtetë. Për këtë arsye, ka vendosur që telefonatat nga numra të panjohur të bllokohen automatikisht dhe të kalojnë direkt si të zëna.

Megjithatë, pjesa më e pazakontë e historisë lidhet me ofertën milionëshe që mori nga një person në Dubai për të blerë numrin.

‘Mu ofruan 2 milionë euro për ta shitur’, tregoi ai, duke shtuar se vendosi ta refuzojë.

Sipas koleksionistit, vendimi nuk kishte të bënte me paratë, por me vlerën sentimentale që ka për koleksionin e tij. Ai rrëfeu se edhe bashkëshortja nuk ishte dakord me refuzimin e ofertës, por për të numrat e rrallë janë një pasion dhe nuk mund të vlerësohen vetëm nga ana ekonomike.