Si ta dëmtojmë tolerancën fetare?
Nga Blerim Vakaj
Të dashur shqiptarë,
Gjergj Luca, një personazh i estradës së Kryeministrit Rama, ose të paktën sipas mendjes së tij, të Ramës dhe atyre që i përkasin të njëjtës psikologji apo axhendë shoqërore, paska përfunduar një faltore tre në një, ku bashkon tri besimet kryesore në botë: të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë. Aq më tepër në një vakum ligjorë dhe situate kur çdokush që kërkon të ndërtoj një xhami ose objekt kulti, i duhet leje e posaçme nga KMSH.
Shqipëria dhe trojet shqiptare, që kanë qenë simbol i bashkëjetesës dhe tolerancës së komuniteteve fetare, çdo ditë e më shumë po kthehen në një strehë për ekstremitetet. Dhe kjo po ndodh pikërisht për shkak të këtyre aktorëve që përdorin besimin dhe individët më të paditur në fe si kavie eksperimentale në laboratorët e tyre fizikë apo virtualë.
Për të qëndruar bashkë dhe për të bashkëjetuar me vlerat e njëri tjetrit, nuk është aspak e nevojshme të ndërtohen objekte të tilla kulti. Ato ngjajnë më shumë si një shtëpi mallkimi ose si një hapësirë ku hidhen të kundërtat. Këto iniciativa të kujtojnë laboratorë ku dikush përpiqet të bashkojë me forcë elemente kimike të papajtueshme, njësoj sikur të përplasësh polin pozitiv me atë negativ. Kur tenton të shkrish identitete të ndryshme në një të vetme në mënyrë kaq artificiale, rreziku nuk është harmonia, por shpërthimi.
Sociologu Émile Durkheim argumentonte se forca e fesë qëndron te ruajtja e të shenjtës dhe e kufijve të saj të qartë. Kur këta kufij shkelen nga nisma private për qëllime banale, feja zhvishet nga rëndësia e saj shpirtërore dhe kthehet në një objekt konsumi mediatik.
Shqipëria ka prova arkitekturore ku kishat dhe xhamitë kanë pothuajse të njëjtin oborr. Kemi pamje ku hoxhallarë dhe priftërinj ulen në të njëjtën tavolinë, buzëqeshin dhe mbajnë fjalime dashurie, gati platonike, mes të krishterëve dhe myslimanëve. Këto do t’i mjaftonin kujtdo për të mos dyshuar te bashkimi i shqiptarëve.
Ky objekt kulti e ka burimin në një propagandë artificiale që vjen nga një qytetërim shumë artificial, por mjaft turistik, i ndërtuar në Lindjen e Mesme. Përkundër atij realiteti, ne nuk vuajmë për bashkëjetesë dhe as nuk i ofrojmë Evropës apo botës ndonjë vlerë me objekte të tilla. Përkundrazi, me to mbulojmë diellin e tolerancës me shoshën e objekteve të marketingut të Lucës. Dhe kjo është e papranueshme.
Myslimanët, që janë shumicë në këtë vend, por të tjetërsuar si komb për shkak të komunizmit, në librin e tyre të shenjtë kanë një varg në suren Kafirun: “Ju keni fenë tuaj që i përmbaheni, e unë kam fenë time që i përmbahem.”
Ky varg tregon vetë tolerancën që Zoti u jep njerëzve, duke u lënë lirinë të zgjedhin për aq kohë sa jetojnë në këtë botë. Ai tregon gjithashtu tolerancën e Profetit për të jetuar në kundërshtim me fenë e të tjerëve, por me respekt dhe tolerancë njerëzore ndaj tyre. Çdo përpjekje për të sjellë artificialisht “tolerancë fetare” vetëm sa e minon atë dhe e rrit ekstremitetin, duke sjellë mungesë tolerance njerëzore ndërmjet nesh.
Filozofi Karl Popper e shpjegon këtë përmes paradoksit të tolerancës, sipas të cilit toleranca e pakufizuar ndaj çdo gjëje mund të shkatërrojë vetë tolerancën.
Në këtë realitet shoqëror, ku kemi shumë informacion, por shumë pak filtra, duhet thënë se nuk kemi nevojë të na shtohen njerëz me axhenda dhe objekte të tilla, kur e gjithë Shqipëria dhe trojet tona janë prova e gjallë e një shtëpie për të gjithë.
Anëtar i Departamenti Brain Gain, PD