Zyrtare/ PSG transferon portierin italian Alessandro Longoni, firmos deri në vitin 2031
Paris Saint-Germain ka zyrtarizuar transferimin e portierit të ri italian, Alessandro Longoni. Klubi francez njoftoi se 18-vjeçari ka firmosur një kontratë që do ta mbajë në “Parc des Princes” deri në verën e vitit 2031, ndërsa do të mbajë fanellën me numrin 16.
I lindur më 31 janar 2008 në Como, Longoni iu bashkua akademisë së Milanit në moshën nëntëvjeçare dhe përparoi në të gjitha kategoritë e klubit kuqezi, deri te skuadra e dytë. Në shkurt të vitit 2024 ai firmosi kontratën e tij të parë si profesionist.
Portieri 192 centimetra i gjatë ka qenë pjesë edhe e UEFA Youth League me Milanin dhe konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit italian në pozicionin e tij. Përveç aftësive në pritje, ai vlerësohet edhe për lojën me këmbë dhe qetësinë në ndërtimin e aksioneve nga prapavija.
Longoni ka përfaqësuar Italinë në të gjitha grupmoshat, nga U15 deri te U19, duke regjistruar gjithsej 36 paraqitje me ekipet kombëtare të moshave.
Në vitin 2024 ai fitoi Kampionatin Evropian U17 me Italinë, ndërsa një vit më vonë ishte një nga protagonistët e skuadrës që zuri vendin e tretë në Kupën e Botës U17. Në atë turne ai spikati në çerekfinale ndaj Brazilit, ku priti dy penallti në serinë vendimtare.
Me transferimin te PSG, Longoni nis sfidën më të madhe të karrierës së tij deri tani, ndërsa kampionët e Francës besojnë se ai mund të shndërrohet në një nga portierët më të mirë të së ardhmes.