Bushkolaj: Sulmi ndaj protestës nuk vjen nga PS, por nga administrata dhe klanet e pushtetit të Edi Ramës
Gazetari Elkier Bushkolaj deklaroi në emisionin Task Force në Syri TV, me moderatoren Sonila Meço, se sulmet ndaj protestës qytetare nuk përfaqësojnë Partinë Socialiste në tërësi, por një rreth të ngushtë pushteti, të mbështetur sipas tij nga administrata dhe grupe interesi të lidhura me qeverinë.
Sipas Bushkolajt, një pjesë e konsiderueshme e figurave dhe kontribuuesve të Partisë Socialiste janë distancuar nga kursi aktual politik, ndërsa administrata publike po përdoret për të sulmuar protestuesit.
Ai shtoi se brenda PS kanë nisur lëvizje që tregojnë se edhe socialistët po e kuptojnë se situata politike po hyn në një fazë të re.
Deklarata në studio:
Bushkolaj: Të ndalem pak tek enturazhi që po sulmon protestën. Ai enturazh nuk përfaqëson më Partinë Socialiste si e tillë. Pra ai përfaqëson disa klane të caktuara dhe grupe interesi, kryesisht organizata kriminale. Tani Partia Socialiste ka 83 mandate dhe një pjesë e mirë e deputetëve të Partisë Socialiste kanë zgjedhur heshtjen apo distancimin. Por ajo që ka qenë një pjesë e shëndoshë e Partisë Socialiste, se në fund të ditës Partia Socialiste nuk janë vetëm njerëzit që janë nëpër pozita dhe njerëzit që janë në pushtet, janë dhe kontribuuesit...
Meço: Të themi që ndarja PS Rilindje ka ekzistuar gjithmonë...
Bushkolaj: Jo, ndarja PS Rilindje, por për hir të së vërtetës shumë emra që kanë kontribuar ndër vite, që ne i kemi përmendur dhe në këtë studio, duke u nisur nga zoti Malaj, nga Brisida Shehaj, Irena Beqiri, Iglizela mos gabohem, një Ditmir Bushati. Pra një numër eksponentësh shumë të rëndësishëm në Partinë Socialiste, janë distancuar nga kjo dhe e kanë lexuar qartë. E njëjta gjë është edhe në bazë. Edhe administrata, ne duhet të kemi parasysh, nuk po e sulmon protestën një pjesë e mirë e Partisë Socialiste, se ke aty, aty ke socialistë pafund.
Dil në shesh i sheh. Patjetër. Ato që po detyrohen të sulmojnë protestën janë punonjësit e administratës, që po detyrohen. Pra është edhe një hipokrizi shumë e madhe, se në fund të ditës paguhen dhe me taksat e atyre njerëzve që janë në shesh, edhe linçojnë ato njerëz që janë në shesh. Pra nuk është më Partia Socialiste, këtu kemi një administratë që po e sulmon brutalisht këtë protestë. Por, lëvizja brenda Partisë Socialiste ka filluar, se dhe ato e kuptojnë që diçka nuk po ndodh. Koçeku ishte shenja e parë. Gjykova që mund të ketë edhe lëvizje të tjera që lidhen me këtë situatë, pasi edhe ato i lexojnë mediat ndërkombëtare sikur i lexojmë edhe ne. E kuptojnë që po zhvillohet diçka. Sikur shohim ne zhvillimet në Kongres, i shohin dhe socialistët dhe njerëzit me peshë në Partinë Socialiste.