Zyrtare/ Ardit Krymi prezantohet te rekordmenët e Superiores
Ardit Krymi është zyrtarisht futbollisti më i ri i Tiranës. Mesfushori 29-vjeçar u është bashkuar bardhebluve për sezonin e ri, duke mbyllur aventurën e tij me Vllazninë dhe duke nisur një etapë të re në karrierë.
Klubi kryeqytetas ka bërë të ditur afrimin e lojtarit përmes një njoftimi zyrtar, duke e mirëpritur atë në skuadër.
“Mirë se erdhe, Ardit Krymi! KF Tirana njofton afrimin e Ardit Krymit, i cili i bashkohet skuadrës për sezonin e ri. Mesfushori 29-vjeçar nis një kapitull të ri në karrierën e tij me fanellën e KF Tiranës. Mirë se erdhe në familjen bardh e blu!”, thuhej në njoftimin e klubit.
Krymi vendosi të ndërpresë marrëveshjen me Vllazninë, pavarësisht se ishte ende nën kontratë me klubin shkodran, pas një fundsezoni të mbushur me tensione mes palëve.
Për mesfushorin shkodran, kjo është hera e parë që do të veshë fanellën e një skuadre tjetër brenda futbollit shqiptar përveç klubit të qytetit të tij të lindjes, duke hapur një faqe të re në karrierën e tij profesionale.