Rooney sulmon FIFA-n për rastin 'Balogun': Infantinos t’i vijë turp!
Wayne Rooney ka kritikuar ashpër vendimin e FIFA-s për të pezulluar për një vit dënimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun, duke i lejuar atij të luajë ndaj Belgjikës në 1/8-at e finales së Botërorit 2026, pavarësisht kartonit të kuq ndaj Bosnjë Hercegovinës.
Ish-kapiteni i Anglisë e cilësoi vendimin si të papranueshëm dhe një goditje për frymën sportive të futbollit.
“Mendoj se është një turp i madh. Më e turpshmja është pezullimi i dënimit për një vit. Infantino duhet të turpërohet, sepse ky vendim cenon frymën sportive të futbollit”, deklaroi Rooney në analizën e tij për BBC.
Ai nuk u ndal me kaq, duke theksuar se masa e marrë nga FIFA vë në dyshim besueshmërinë e rregullave të lojës dhe mënyrën e zbatimit të tyre në një turne të madh si Botërori.
Rooney solli gjithashtu në kujtesë dënimin e tij me tri ndeshje në Euro 2012, duke argumentuar se nëse FIFA e konsideronte të gabuar kartonin e kuq ndaj Balogunit, atëherë duhej ta anulonte plotësisht, jo ta pezullonte dënimin për 12 muaj.
“Kur unë u ndëshkova, rregulli ishte i qartë. Nëse kartoni ishte gabim, duhej hequr. Jo të lihej në fuqi dhe të pezullohej dënimi për një vit”, shtoi ai.
Reagimet ndaj këtij vendimi vazhdojnë të shtohen në arenën ndërkombëtare. UEFA e ka kritikuar publikisht FIFA-n, ndërsa Federata e Belgjikës ka paraqitur ankesë zyrtare për të bllokuar aktivizimin e Balogunit në ndeshjen ndaj Belgjikës, duke e kthyer çështjen në një nga më të debatueshmet e turneut.