Më pak interes për pasaportën shqiptare, bie me 46% shtetësia shqiptare për të huajt

Marrja e shtetësisë shqiptare po kalon një faze tkurrje  gjatë vitit 2025, duke reflektuar rënie të ndjeshme të interesit për marrjen apo lënien e saj krahasuar me vitin paraardhës.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT numri i personave që kanë përfituar shtetësinë shqiptare zbriti në 495 gjatë këtij viti, një shifër kjo dukshëm më e ulët se 919 rastet e regjistruara gjatë vitit 2024.

Vitin e kaluar 306 nga personat që morën shtetësinë e kanë rifituar atë dhe 189 e kanë fituar për herë të parë. Struktura e këtyre fituesve mbizotërohet nga shtetas të Kosovës, të cilët përbëjnë 56,1% të totalit, ndjekur nga shtetasit turq me 20,1%, ndërsa me përqindje më të vogla vijojnë ata nga Maqedonia e Veriut dhe Italia, secila me nga 4,8%.

Ky ngadalësim i ritmeve u shoqërua edhe me një reduktim të  kërkesave për heqje dore nga shtetësia, sinjalizon një ndryshim të qasjes së aplikantëve dhe një shqyrtim më të kujdesshëm të flukseve migratore në periudhën aktuale. 173 persona kanë zgjedhur ta lënë shtetësinë shqiptare gjatë vitit 2025.

Analiza demografike e këtyre proceseve nxjerr në pah se grup-mosha 30-39 vjeç ka qenë më e përfaqësuara, duke përbërë 31,7% të personave që fituan shtetësinë dhe 43,9% të atyre që hoqën dorë prej saj.

Nga ana tjetër numri i personave që kërkuan azil në vendin tonë arriti në 144 në vitin 2025, ose 40 persona më shumë se në vitin 2024. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT vitin e kaluar kishte një rritje të lehtë të numrit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare.

Azilkërkues është çdo shtetas i huaj ose person pa shtetësi, që ka paraqitur kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare, për të cilën nuk është marrë ende një vendim përfundimtar i formës së prerë.

Fluksi i aplikimeve për azil ka qenë i përqendruar kryesisht gjatë tremujorit të dytë të vitit, konkretisht në gusht, shtator dhe tetor, periudhë e cila mbuloi 63,2% të numrit total të kërkesave për vitin 2025.

Sa i përket origjinës së këtyre kërkesave, statistikat tregojnë se pjesa dërrmuese e tyre vinte nga Egjipti me 39,6%, ndjekur nga Afganistani me 11,8% dhe Palestina me 9,7%./ Monitor