Fati i Le Pen në dorë të gjykatës, vendimi që mund ta nxjerrë jashtë garës për Presidencialet 2027

Fati politik i lideres së së djathtës franceze, Marine Le Pen, pritet të vendoset këtë të martë, kur Gjykata e Apelit e Parisit do të shqyrtojë çështjen që mund t’i hapë ose t’i mbyllë përfundimisht rrugën kandidimit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

Le Pen, 57 vjeçe, ka apeluar vendimin e marsit 2025, me të cilin u shpall fajtore, së bashku me disa drejtues të tjerë të Tubimit Kombëtar (Rassemblement National), për keqpërdorim të fondeve të Parlamentit Europian.

Sipas vendimit të shkallës së parë, fondet e destinuara për asistentët parlamentarë janë përdorur për të paguar punonjës që, në praktikë, punonin për partinë dhe jo për institucionin europian.

Nëse Gjykata e Apelit lë në fuqi dënimin, Le Pen rrezikon ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike, si edhe masa të tjera ndëshkuese, përfshirë burgun ose monitorimin elektronik. Një vendim i tillë do ta përjashtonte automatikisht nga gara për Pallatin Elysee në vitin 2027.

Në rast se Le Pen mbetet jashtë garës, kandidati më i mundshëm i së djathtës franceze pritet të jetë Jordan Bardella, 30 vjeç, president i Tubimit Kombëtar dhe figura që konsiderohet prej kohësh si pasardhësi i saj politik.

Marine Le Pen mori drejtimin e partisë në vitin 2011, duke pasuar të atin, Jean-Marie Le Pen, dhe nisi një proces transformimi për të zbutur imazhin e formacionit. Në vitin 2018, Fronti Kombëtar ndryshoi emrin në Tubimi Kombëtar, në përpjekje për të zgjeruar bazën elektorale.

Ajo ka qenë dy herë rivale e Emmanuel Macron në balotazhin presidencial, në vitet 2017 dhe 2022. Në zgjedhjet e fundit presidenciale arriti rezultatin më të mirë historik të së djathtës ekstreme në Francë, duke siguruar mbi 41 për qind të votave në raundin e dytë.

Ndërkohë, Jordan Bardella, i cili iu bashkua partisë në moshën 17-vjeçare, u zgjodh president i Tubimit Kombëtar në vitin 2022 dhe sot shihet si emri që mund të udhëheqë të djathtën franceze nëse Le Pen nuk lejohet të kandidojë.

Vendimi i Gjykatës së Apelit pritet me interes të madh, pasi mund të ndryshojë ekuilibrat politikë në Francë përpara presidencialeve të vitit 2027. Zgjedhjet e ardhshme do të zhvillohen pa Emmanuel Macron, i cili nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë radhazi. Raundi i parë është planifikuar më 18 prill 2027, ndërsa balotazhi më 2 maj.