Dugarry shpërthen ndaj Paraguajit: Më vjen të vjell, nuk dua t’i shoh më

Eliminimi i Paraguajit nga Botërori 2026 nuk u ka dhënë fund polemikave për stilin e lojës së skuadrës së drejtuar nga Gustavo Alfaro. Pas ndeshjes kundër Francës, kritikat ndaj futbollit të ashpër të amerikano-latinëve kanë vazhduar, ndërsa emra të njohur si Christophe Dugarry, Fabio Capello dhe Toni Kroos kanë sulmuar si lojën e Paraguajit, ashtu edhe arbitrin e takimit.

Më i ashpër në deklarata ishte ish-kampioni i botës me Francën, Christophe Dugarry.

“Ata luajnë edhe më keq se 30 vite më parë. Është një futboll parahistorik, ku të gjithë mërziten. Më vjen të vjell. Jam i lumtur që janë eliminuar. Nuk dua t’i shoh më”, deklaroi francezi.

Përpara ndeshjes, Dugarry pati edhe një përplasje verbale me legjendën e Paraguajit, Jose Luis Chilavert, e cila përfundoi me një deklaratë të papërshtatshme nga ish-portieri.

Edhe Toni Kroos shprehu habinë për mënyrën se si arbitri e drejtoi sfidën.

“A mund ta besoni se edhe në shekullin XXI po shohim ende gjëra të tilla në futboll? Arbitri ishte pranë disa rasteve që ishin faulle të qarta, por zgjodhi ta linte lojën të vazhdonte. Çfarë kuptimi ka të kesh një arbitër në fushë, nëse faullet e dukshme thjesht injorohen? Nuk kam parë kurrë një arbitrim të tillë gjatë karrierës sime. Për mua, problemi më i madh ishte arbitri, sepse nuk mund t’i shohësh ndërhyrje të tilla dhe të bësh sikur nuk ka ndodhur asgjë”, u shpreh ish-mesfushori gjerman.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Fabio Capello, i cili fajësoi arbitrin se lejoi një lojë tepër të ashpër.

“Kam kaluar dekada në futboll dhe sinqerisht nuk e dija se mund të bëheshin rreth 30 faulle në një ndeshje pa u ndëshkuar për një kohë kaq të gjatë me karton të verdhë. Është normale të kërkosh agresivitet nga lojtarët, por ka një dallim mes garës sportive dhe ndërprerjes së vazhdueshme të lojës. Për mua, Paraguaji e kaloi këtë kufi shumë herë. Sa herë që Franca përpiqej të ndërtonte aksione, vinte një tjetër faull, një tjetër ndërprerje dhe një tjetër përplasje.”

Capello shtoi se është normale të luftosh për fanellën e vendit tënd, por futbolli duhet të mbetet futboll.

“Nëse kontributi yt më i madh është të godasësh kundërshtarin në vend që të luash futboll, atëherë ke vendosur prioritete të gabuara. Më habit fakti që arbitri lejoi kaq shumë ndërhyrje pa ndëshkim. Kjo vetëm sa i nxiti edhe më shumë ndërhyrjet e pamatura”, përfundoi trajneri italian.