Trump pranon ndërhyrjen në rastin Balogun, shpërthen polemika: UEFA e quan vendimin të papranueshëm
Rasti i Folarin Balogun ka shkaktuar një stuhi polemikash në Botërorin 2026, pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pranoi se kishte biseduar me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për kartonin e kuq të sulmuesit amerikan.
Sipas një hetimi të gazetës gjermane ‘Bild’, administrata e Trump-it zhvilloi për katër ditë një fushatë intensive lobimi për të siguruar heqjen e pezullimit të Balogun, i cili ishte ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen ndaj Bosnjë Hercegovinës. Në këtë proces thuhet se u përfshinë Andrew Giuliani, drejtues i grupit të punës për Botërorin në Shtëpinë e Bardhë, sekretari i Tregtisë Howard Lutnick, drejtues të Federatës Amerikane të Futbollit dhe një ekip juristësh që përgatiti ankesën në FIFA.
Vetë Trump konfirmoi se kishte diskutuar çështjen me Infantinon, por mohoi se kishte ushtruar presion.
“Po, kam folur me të. Thjesht kërkova që vendimi të rishqyrtohej, nuk i thashë se çfarë duhej të bënte. Vendimin e mori një komision dhe ishte një vendim i shkëlqyer. Nuk ishte faull, ishin dy sportistë që u përplasën”, deklaroi presidenti amerikan. Ai hodhi gjithashtu dyshime mbi arbitrin brazilian, Raphael Claus, duke thënë se vendimi i tij ishte i pabesueshëm.
FIFA njoftoi të dielën pezullimin e dënimit, duke i hapur rrugën Balogunit të luante në ndeshjen e 1/8-ve të finales kundër Belgjikës. Megjithatë, organizata nuk publikoi arsyetimin e plotë të vendimit dhe sqaroi vetëm se komisioni disiplinor i pavarur kishte vepruar në mënyrë autonome.
Federata Belge e Futbollit reagoi menjëherë, duke dërguar një letër në FIFA për të kërkuar shpjegime dhe dokumentacionin përkatës. Sipas medieve belge, kërkesa u trajtua si një apel, por federata pretendon se nuk mori asnjë sqarim mbi procedurën. Për këtë arsye, Belgjika ka vendosur të kundërshtojë të drejtën e Balogunit për të luajtur.
Edhe UEFA mbajti një qëndrim shumë të ashpër, duke deklaruar se pezullimi automatik pas një kartoni të kuq është një rregull që nuk mund të përjashtohet gjatë zhvillimit të një turneu. Sipas saj, ky vendim rrezikon integritetin e garës dhe krijon një precedent të rrezikshëm për të ardhmen.
Kritika të forta erdhën edhe nga trajneri i ardhshëm i Gjermanisë, Jurgen Klopp, i cili sulmoi Trumpin dhe Infantinon.
“Këta dy persona nuk dinë asgjë për futbollin dhe nuk duhet të kenë asnjë lidhje me këtë sport. Ky është sporti ynë, jo i tyre. Nëse është e vërtetë se kanë diskutuar për këtë çështje, atëherë jemi përballë një situate absurde. Vendimi për Balogunin ishte i drejtë sipas rregullores dhe duhej të mbetej në fuqi”, deklaroi Klopp.
Ndërkohë, senatori republikan Ted Cruz falënderoi publikisht Trumpin për atë që e cilësoi si “heqjen e atij kartoni të kuq absurd”, duke shtuar edhe më shumë debatet rreth një prej çështjeve më të diskutueshme të Botërorit 2026.