Handanovic i jep fund aventurës 14-vjeçare te Interi: Jam gati të hap një faqe të re
Samir Handanoviç i ka dhënë fund zyrtarisht aventurës së tij të gjatë tek Interi, duke mbyllur një kapitull që zgjati pothuajse 15 vite. Ish-portieri slloven, i cili iu bashkua zikaltrve në vitin 2012, njoftoi largimin përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.
Handanoviç kaloi 11 sezone si portier i Interit, ndërsa pas tërheqjes nga futbolli i luajtur vazhdoi të kontribuonte në klub si vëzhgues dhe më pas si trajner i skuadrës U-17.
Në mesazhin e tij në Instagram, slloveni shkroi: “Njëmbëdhjetë vite si lojtar, një si vëzhgues dhe dy si trajner. Nuk kam dashur kurrë t’i tregoj rrugëtimet përmes shifrave. Megjithatë, ndërsa mbyllet një kapitull 14-vjeçar, është e pamundur të mos kthej kokën pas dhe të mendoj për gjithçka që më ka dhënë ky udhëtim.”
Ai theksoi se Interi ka qenë shumë më tepër sesa një klub për të. “Interi ka qenë një shtëpi, një vend ku jam rritur, ku kam përjetuar sfida, emocione dhe kam njohur njerëz që kanë lënë gjurmë në rrugëtimin tim. Falënderoj të gjithë ata që kanë ndarë me mua këto vite, në çdo rol dhe në çdo moment.”
Një falënderim të veçantë Handanoviç ua kushtoi bashkëpunëtorëve dhe futbollistëve të skuadrës U-17, të cilët pati mundësinë t’i drejtonte gjatë dy sezoneve të fundit.
Në fund të mesazhit, ai bëri të ditur se është gati për sfidën e radhës: “Po mbyllet një kapitull i rëndësishëm, por me vete marr kujtime, mësime dhe mirënjohje. Jam gati të hap një faqe të re me entuziazëm, duke i dhënë lamtumirën botës zikaltër me dashuri, krenari dhe mirënjohje.”