SYRI TV/ 83-vjetori i Masakrës së Borovës - Një prej krimeve më të rënda naziste në Shqipëri

Është përkujtuar 83 vjetori i Masakrës së Borovës, një nga krimet më të rënda të ushtrisë naziste gjermane ndaj popullsisë shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të pranishmit vendosën kurora me lule në memorialin e Borovës dhe bënë homazhe në nderim të 107 viktimave, ndërsa të mbijetuarit e masakrës sollën rrëfime tronditëse e të dhimbshme.

Syri tv

Përkujtohet 83 vjetori i Masakrës së Borovës, një nga krimet më të rënda të kryera nga ushtria naziste gjermane ndaj popullsisë civile shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përfaqësues të institucioneve vendore e qendrore, familjarë të viktimave, banorë të zonës dhe të ftuar të tjerë vendosën kurora me lule në memorialin e Borovës dhe bënë homazhe në nderim të 107 banorëve të pafajshëm mes tyre gra, fëmijë dhe të moshuar  të cilët u vranë më 6 korrik 1943.

Në ceremoni mori pjesë edhe ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, që e cilësoi Masakrën e Borovës një nga momentet më të dhimbshme të historisë, duke shtuar se kujtesa për viktimat duhet të shërbejë si mësim për të ardhmen, në mënyrë që tragjedi të tilla të mos përsëriten më.

Momenti më emocionues i ceremonisë ishte dëshmia e të mbijetuarave të masakrës. Jorgjia Simo, 87 vjeçe, ndau para të pranishmëve kujtimet e hidhura të fëmijërisë, kur vetëm shtatë vjeçe pa të ekzekutoheshin para syve të saj anëtarë të familjes.

Një tjetër e mbijetuar, sot 90 vjeçe, rrëfeu tmerrin që përjetoi në moshën 6-vjeçare, kur humbi të atin dhe pa vrasjen e banorëve të tjerë të fshatit. Sot pas më shumë se tetë dekadash, kujtimet e asaj dite mbeten të gjalla dhe dhimbja nuk është shuar.

Masakra e Borovës mbetet një nga ngjarjet më tragjike të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri dhe një simbol i vuajtjeve që përjetoi popullsia civile gjatë pushtimit nazist. Përkujtimi i saj shërben si një thirrje për të ruajtur kujtesën historike, për të nderuar viktimat dhe për të mbrojtur vlerat e paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.